Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së nuk zgjedhet në raundin e parë të votimit

Gjatë votimit për kryesuesin e Bordit të ZRrE-së, asnjëri nga kandidatët nuk arriti të mbledh votat e mjaftueshme për t’u emëruar në këtë pozitë.

Në raundin e dytë të votimit kaluan kandidatët Petrit Pepaj dhe Bekim Jakupi.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa në emër të Komisionit Votues e për zgjedhjen e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), prezantoi votat që kanë marr kandidatët.

“Në votim kanë marr pjesë 88 deputetë, kurse 8 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme. Bekim Jakupi ka marr 35 vota, Petrit Pepaj 22 vota, Fadil Ismajli 8 vota dhe Përparim Kabashi 16 vota”.

Beqa shtoi në balotazh do të shkojnë dy kandidatët më të votuar, Bekim Jakupi dhe Petrit Pepaj.

“Asnjëri nuk ka marr vota të mjaftueshme për tu zgjedh kryesues i bordit, përsëritet votimi, dy kandidatë që kanë marr më shumë vota shkojnë në balotazh”, tha ai.

Paraprakisht nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti i ka prezantuar emrat e propozuar të Qeverisë për kryesuesin e bordit të ZRrE-së.

“Për pozitën e kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, Qeveria ka propozuar kandidatët si në vijim: Bekim Jakupi, Petrit Pepaj Fadil Ismajli, Përparim Kabashi”, ka thënë ai.

Pas prezantimit të emrave, Haliti tha se ZRrE-ja ka kërkuar që  nga kandidatura të hiqet emri i  Fadil Ismajlit.

“ZRrE me shkresë ka kërkuar që Fadi Ismajli të mos jetë në listën e të votuarve, ka shkuar diku tjetër me punë. Kemi vetëm tri kandidatura tash”, ka thënë nënkryetari i Kuvendit.

Ndërkaq, Grupet Parlamentare propozuan nga një deputet për anëtarë të Komisionit votues për këtë proces.

“Për zbatimin e procedurës së votimit të fshehtë kërkohet krijimi i një komisioni votues me përmbajtje nga një deputet për secilin grup parlamentar”, tha nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti.

Për këtë Komision, LDK ka caktuar deputetin Driton Selmanaj, PDK propozoi deputetin Hajdar Beqa, LVV ka propozuar deputetin Salih Zyba, AAK ka propozuar deputetin Rasim Selmanaj, PSD ka propozuar deputetin Driton Çaushin, Nisma ka propozuar Veton Berishën, ndërsa 6+ deputetin Bahrim Shabani.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, në tetor të 2018-ës, kishte shfaqur hulumtimin për skandalin e nënshkrimit të dyshimtë të kryeministrit Ramush Haradinaj në dokumentin ku ishin hequr emrat e dy kandidatëve në propozimin për Kuvendin, për kryesues të Bordit të ZRRE-së.

Qeveria i largon në mënyrë të dyshimtë, Përparim Kabashin e Fadil Ismajlin nga gara për ZRrE

 

 

https://kallxo.com/qeveria-perdori-qasje-arbitrare-per-kryesuesin-e-bordit-te-zrre-se/