FOTO: ANP "Adem Jashari"
Kryesindikalisti i kontrollorëve ajror: Qeveria e di se duhet t'i paguajë dëmet financiare ndaj Limak-ut
Kryesindikalisti i kontrollorëve ajror të aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, Artan Hasani në një prononcim për KALLXO.com e ka konfirmuar se dëmet financiare që i ka pësuar kompania koncesionare e Aeroportit të Prishtinës, “Limak”, për shkak të grevës së tyre do t’i faturohen Qeverisë së Kosovës.
“E vërtetë është që dëmet do t’i paguajë Qeveria, në kontratë është e cekur”, tha kryetari i kësaj sindikate, Artan Hasani.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është treguar e papërgjegjshme dhe përgjegjësia bie mbi Qeverinë e Kosovës.
“Pagesa e këtij dëmi është si pasojë e papërgjegjësisë së Qeverisë. Qeveria i ka ditë këto sene, tash është papërgjegjësi e tyre që s’kanë reagu ma shpejtë me rregullu këtë punë. Kanë kujtu që po bëjmë na hajgare, e kur e kanë pa që ne s’po bëjmë hajgare, i ka kërsit pak në shpinë, atëherë kanë vrapu me zgjidhë këtë problem, të cilin e kanë shkaktu me ligjin për paga”, tha për KALLXO.com, Hasani.
Ministri Pal Lekaj, javën e kaluar nënshkroi një memorandum ku thuhet se do t’i trajtojnë kërkesat e kontrollorëve dhe greva ishte ndalur.
Sipas Hasanit, nëse në tetor nuk rregullohet kjo çështje, buxhetit të shtetit do të ketë probleme të reja.
“Ishalla rregullohet kjo çështje në tetor kur të implementohet ligji për paga, sepse do t’i dhemb edhe më shumë buxhetit kjo farë pune”, tha për KALLXO.com Hasani.
Kompania Limak, në një përgjigje dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë tha se për shkak të grevës nuk janë realizuar 12 fluturime në arritje dhe 12 në nisje apo në total 24 fluturime.
Sipas Hasani, tarifat për një pasagjer zakonisht sillen rreth 20 euro.
“Nuk i di saktësisht tarifat e LIMAK-ut, por e di që të gjitha ato tarifa i faturohen Qeverisë së Kosovës, por e di që 20 euro është për një pasagjer”
Gazeta Jeta në Kosovë më herët publikoi artikullin që tregon se kompania Limak do të kërkoj kompensim nga Qeveria e Kosovës për dëmet financiare që janë shkaktuar për shkak të grevës së kontrollorëve ajror.
Marrëveshja për koncesionimin e Aeroportit parasheh kompensimin e humbjeve për shkak të grevës së kontrollorëve ajror.
https://kallxo.com/gjnk/limak-do-ti-kerkoje-demshperblim-qeverise-per-greven-e-kontrolloreve-ajror/
Emisioni Jeta në Kosovë vitin e kaluar kishte transmetuar hulumtimin “Aksham Pazar” në 4 emisione me aeroportin e Prishtinës ku dy kallëzuesit Bujar Ejupi dhe Erzen Shileku kanë treguar për shkeljet e kontratës në mes të Qeverisë dhe kompanisë Limak.
Në njërin prej emisioneve ishin trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e aeroportit nga kompania Limak.
https://kallxo.com/video-aksham-pazar-me-aeroport-nderkombetar-3/