Pamje nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes – Foto: KALLXO.com

Kryesia e Vetëvendosjes Nesër i Diskuton Dorëheqjet

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje nesër do të takohet edhe njëherë për të diskutuar për dorëheqjet e fundit në këtë parti dhe për këtë do të ftohen të marrin pjesë edhe vet të dorëhequrit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com ushtruesi i detyrës së sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi.

“Sipas të gjitha gjasave do të mblidhemi nesër. Nesër do të diskutohet edhe dorëheqjet e fundit. Të ftuar kanë me qenë të gjithë edhe ata që kanë dhënë dorëheqje, tash secili vendos për vetën e vet a vijnë ose jo, por të ftuar do të jenë të gjithë”, tha Kurteshi për KALLXO.com që shtoj se për pak kohë do të mirret vesh edhe ora e mbajtjes së mbledhjes dhe do të iu dërgohet ftesa.

Së fundi në Lëvizjen Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje disa deputet, përfshi këtu, kryetarin e deri tanishëm, Visar Ymerin, nënkryetarin Dardan Sejdiun e që janë edhe deputetë si dhe deputetët, Shqipe Pantina, Faton Topalli dhe Aida Dërguti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me ish kryetarin Visar Ymeri, por ai nuk është përgjigjur.

Ndërsa ish sekratari organizativ  dhe deputeti i Vetëvendosjes Dardan Molliqaj tha për KALLXO.com se ende se ka marrë ftesën për këtë mbledhje, ndërsa nuk është përgjigjur kur është pyetur nëse do të shkojë në mbledhje pas marrjes së ftesës.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina që së fundi ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për KALLXO.com se nuk do të marrë pjesë nesër në mbledhje.

“Unë jam në pushim. Nuk jam fare në Prishtinë, andaj nuk mund të marrë pjesë edhe pse zyrtarisht nuk kam asnjë ftesë, por edhe po të kisha për shkak që jam jashtë Prishtinës nuk mund të shkoj”, tha shkurtimisht Pantina për KALLXO.com

Për dorëheqjet në Vetëvendosje ka folur sot edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili tha se në mbledhjen e kryesisë do të diskutohet edhe njëherë këto çështje.

https://kallxo.com/shpend-ahmeti-zhvillimet-ne-vv-nuk-jane-bash-normale/

Në mbledhjen e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje iu është kërkuar të gjithë anëtarëve të dorëhequr që të kthehen në kryesi dhe ti diskutojnë problemet e brendshme të kësaj partie.

https://kallxo.com/vetevendosje-fton-anetaret-e-dorehequr-te-kthehen-ne-kryesi/

Ftesë për tu rikthyer edhe për të biseduar u kishte bërë edhe kandidati i vetëm deri më tani për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Dje, bashkërisht, me pjesëmarrjen e mbi 2/3 të Kryesisë, kemi votuar që dorëheqjet të rishqyrtohen dhe kemi kërkuar që të gjithë të dorëhequrit të kthehen në Kryesi”, kishte shkruar Kurti me 5 janar të këtij viti.

https://kallxo.com/albin-kurti-flet-per-doreheqjet-ne-vetevendosje/

Pas këtij shkrimi, kishte shkruar edhe kryetari i dorëhequr, Visar Ymeri ku kishte deklaruar ka shpresuar që dorëheqja e tij do të ndikonte në marrjen më me seriozitet të problemeve në Lëvizje, mirëpo sipas tij, ka ndodhur krejt e kundërta. Ymeri kishte deklaruar se ka parë vetëm arrogancë.

Ndërsa sa i përket ftesës për diskutim, Ymeri kishte ironizuar duke pyetur se për çfarë duhet folur.

“Nga Kryesia e deri te Albin Kurti tash së fundi. Shumë mirë. Po çka do të flasim?”, kishte shkruar Ymeri, i cili kishte njoftuar se është takuar dy herë me Albin Kurtin, pas lirimit dhe s’kishte parë asnjë reflektim nga ai për problemet e Vetëvendosjes.

https://kallxo.com/ymeri-nga-albini-nuk-pash-keqardhje-per-fushaten-e-lincimit/