Kryesia e LDK-së dhe familjarë bëjnë homazhe te varri i profesorit Fehmi Agani – Foto: LDK

Kryesia e LDK-së dhe familjarët nderojnë veprën e profesor Aganit

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtarë të familjes Agani kanë bërë homazhe te varri i profesorit Fehmi Agani, i vrarë 19 vjet më parë nga forcat policore serbe.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së me këtë rast ka thënë se çdo vit e më shumë po ndihet mungesa e profesor Aganit.

“Mençuria e tij, intelektualiteti, largpamësia dhe vizioni i tij si kurrë më parë i  duhen edhe sot Kosovës”, tha në emër të Kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri.

Ndërsa, sipas një komunikate të LDK-së, Mentor Agani, djali i profesor Aganit tha se: “Na mungon të gjithëve, thjeshtë na mungon të gjithëve”.

Në 19-vjetorin e vrasjes, akademik Aganin e ka kujtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka quajtur “intelektualin më të shquar dhe politikanin ndër më të mprehtët në Kosovë”.

http://kallxo.com/presidenti-e-kryeministri-kujtojne-akademikun-fehmi-agani-ne-19-vjetorin-e-vrasjes/

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj tha se “Fehmi Aganin do ta kujtojmë si pishtarin që i dha dritë vizionit tonë për shtet”.