Kryesia e Kuvendit vendos dy seanca në muajin janar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka paralajmëruar se në janar do të mbahen dy seanca me datën 30 dhe 31.

“Kena fillu mirë, shumë pozitive në mbledhjen e kryesisë, do të kemi seanca me datën 30 dhe 31 e cila do të jetë me disa pika rendit të ditës. Është Ligji i Buxhetit dhe statusi i Trepçës, Ligji për Paga dhe një mori ligjesh të tjera që janë në interes të qytetarëve. Por viti 2019 do te jetë viti i suksesit të Kosovës”, tha Veseli.

Veseli tha se taksa i ka bërë mirë Serbisë, sepse sipas tij ajo nuk e ka respektuar Kosovën.

Veseli tha se me ShBA-në kanë një partneritet dhe raport të shkëlqyer dhe se do të jetë partneritet i përjetshëm.

“Ka një kërkesë që t’i jepet fuqi në procesin e dialogut po s’ka kërkesë për tu hequr taksa. Serbia duhet me ditë qe ne jemi të pavarur dhe të mos na i maltretoj qytetarët”, tha Veseli.

Kryetari i GP të LDK-së Avdullah Hoti, tha se ka frikë se do të fillojë avazi i kaluar, ku të gjitha seancat nga shtatori deri në dhjetor kanë mbetur të hapura.

“Dua të them para juve se në këtë mbledhje kryetari i Kuvendit nuk e shqyrtoj fare krizën e grevave që janë më vend, të arsimtarëve të mjekëve, këta nuk marrin asnjë përgjegjësi, duke lënë në shtëpi nxënësit”, tha ai duke paralajmëruar se në seancën e radhës do të kërkojnë përgjegjësi për këtë.

Hoti tha se ekipi negociator nuk e përfaqëson askënd.

“Ne jemi duke e shqyrtuar procesin e dialogut nuk po qëndrojmë anash”, shtoi Hoti.

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu ka thënë se është e rëndësishme interpelanca me Ministrin e Zhvillimit Ekomomik Valdrin Lluka.

“Seanca e radhës do të jetë me 30 janar, për ne është e rëndësishme interpelanca me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka për Contour global, kjo është një temë ekonomike e cila nëse vazhdon në këtë formë do të jetë një rëndesë për Kosovën. Në mënyrë që çdo deputet ta dijë për këtë marrëveshje komerciale. Në janar do të mbahet edhe një seancë tjetër me datën 31”, tha Sejdiu.

Sa i përket Serbisë Sejdiu tha se kur janë të ndarë dalim jo mirë.

“Për ne është e rëndësishme qe të jemi bashkë por nuk duhet të ketë marrëveshje me Serbinë pa njohje, ky është qëndrim i ekipit negocaitor, nuk na duhen komentet e Vuçiqit”, shtoi Sejdiu.