Burim Kelmendi- Kryeshef në Ndërmarrjen 'Pastrimi'

Kryeshefi që 'simpatizon AAK'-në flet për punësimet e familjarëve të njerëzve të afërt me politikën - VIDEO

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar gjatë ditës së djeshme për punësimet me kontrata të veçanta që janë bërë në kompaninë regjionale “Pastrimi”.

Në këtë kompani në muajt e fundit janë punësuar rreth 60 persona me kontrata mbi vepër.

Në këto kontrata figuron edhe emri i djalit të deputetit të AAK-së, Muharrem Nitaj, emri i bashkëshortes së deputetit tjetër të AAK-së, Shkumbin Demaliaj, e afërt e deputetes së AAK-së, Time Kadriaj, gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Sabit Geci, aktorja Shota Bajraliu e disa emra tjerë.

Kryeshefi i kësaj Ndërmarrje Publike, Burim Kelmendi në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com ka konfirmuar nënshkrimin e 26 kontratave të veçanta nga ana e tij, që prej ardhjes në krye të Ndërmarrjes në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai këto punësime i arsyeton me faktin, se si kompani kanë marrë punë shtesë dhe kanë rritur aktivitetet e kompanisë, andaj edhe sipas tij ju duhen kapacitete të punëtorëve.

Kryeshefi Kelmendi e pranon se Egzon Nitaj, djali i deputetit Muharrem Nitaj është punësuar në kohën sa ai është kryeshef.

“S’kam pas kërkesë prej askujt me u punësu, thjeshtë e kam njoftë, djalë i mirë, më është dashtë dikush në IT, ja kam besu atij”, tha kryeshefi Kelmendi për KALLXO.com.

Ndërsa për punësimin e Hateme Demaliaj, gruas së deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj, Kelmendi thotë se nuk e ka nënshkruar atë kontratë.

KALLXO.com posedon këtë kontratë dhe kjo është nënshkruar nga ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Feim Salihu.

Në këtë kompani është punësuar edhe gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Sabit Geci.

Për nënshkrimin e kontratës së gruas së Gecit, kryeshefi thotë se është krenar që e ka bërë.

Kompania “Pastrimi” aktivitetin e saj e ka të shtrirë në 7 komuna. Operon në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Drenas, Graçanicë dhe Obiliq.

Sipas Kelmendit, rreth 90 % e kontratave të veçanta janë punëtorë fizik, ndërsa rreth 600 punëtorë janë pjesë e kësaj kompanie.

Kelmendi e ka pranuar në këtë intervistë se është simpatizantë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai thotë se në pozitën e kryshefit ka ardhur përmes konkursit publik, por e pranon se ka pasur ndihmë edhe nga partia të cilën ai e simpatizon.

Intervista e plotë:

.