Ndarja e Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës Grafika: Krenar Ferizi

Kryeshefi i Telekomit: Jemi duke përgatitur padi për humbjet e shkaktuara nga kontrata me Z-Mobile

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka njoftuar se janë duke përgatitur një padi ndaj Dardafone (Z-Mobile) për humbjet e shkaktuara ndaj Telekomit të Kosovës.

Istrefi nuk ka treguar se sa është shumë e dëmit të shkaktuar nga kontrata 10 vjeçare me Z-Mobile. Më tej Istrefi ka shtuar se këto detaje janë pjesë e ekspertizës financiare që është realizuar nga ekspertët dhe do të përdoren në padinë e cila është duke u përgatitur për Dardafone (Z-mobile).

“Janë detaje të ekspertizës së raportit financiar që është përgatitur nga ekspertët, janë detaje pak konfidenciale. Kisha kërku që ato të përdoren për çështje interne të Telekomit të Kosovës pasi që jemi në fazën e përgatitjes së një padie për humbjet e shkaktuara ndaj Telekomit të Kosovës”, ka deklaruar Istrefi në konferencën për media ku edhe u dha lajmi e kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet më.

Kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri – Berisha, ka njoftuar se kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet.

Ajo ka thënë mos vazhdimi i kontratës ka ardhur si pasojë e mos arritjes së marrëveshjes për vazhdim pas gjashtë muajsh negociata.

“Bordi i drejtorëve njofton se pas një periudhe 6 mujore nuk kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot, Kryeshefi Ekzekutiv ka dërguar njoftim me vendim të Bordit për shpallje të pasuksesshme, për përfundim të kontratës me Z Mobile nga data 31 korrik”, ka thënë Shatri Berisha.

Ndërsa Istrefi tregoi se çfarë do të ndodhë me konsumatorët që kanë numrat e Z-Mobile.

Istrefi deklaroi se janë në bisedime me ARKEP për numrat e Z-Mobile duke shtuar se do të ketë një periudhë tranzicioni por nuk do të ketë ndërprerje të tyre.

“Sot gjatë ditës kemi qenë në kontakt me ARKEP, i lus të gjithë që mos me bo panik, ose dezinformatë, ne jemi duke punuar bashkë me ARKEP in, do të ketë një periudhë tranzicioni nga 30 deri 120 ditë, në asnjë mënyrë nuk do të ndërpriten numrat”, ka thënë Istrefi.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Në këto momente, Z Mobile e ka jetësuar paralajmërimin dhe ka inicuar procedurë të përmbarimit ndaj Telekomit.

Në anën tjetër, menaxhmenti i Telekomit është zotuar se nuk do të ketë  vazhdim të kontratës me Z Mobile.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë dhënë ultimatum që të ketë zotim me shkrim për mosvazhdimin e çfarëdo kontrate me këtë kompani, ndryshe futen në grevë të përgjithshme.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.