Takimi informues i PDK-së në Gradicë, Drenas, pjesë e së cilit është edhe Sejdi Hoxha, Foto: Facebook

Kryeshefi i Postës së Kosovës, pjesë e tubimeve të PDK-së

Punësimet politike në institucionet dhe kompanitë publike në Kosovë morën hov javëve të fundit me dy partitë e koalicionit qeverisës, AAK dhe NISMA, në teh të kritikës për mbipopullimin e ndërmarrjeve publike me simpatizantë dhe familjarë të tyre.

Ndërkohë, aleati më i madh qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, ka javë që ka filluar takimet informuese për zgjedhjet e brendshme të kësaj partie në Drenas.

Në oda, klasa shkollore e hapësira të gjelbëruara po mbahen takime me përfaqësues të PDK-së e qytetarë të Drenasit.

Por, përvec zyrtarëve të PDK-së, pjesë e këtyre takimeve është edhe Kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.

Në disa fotografi të postuara në rrjetin social “Facebook”, Sejdi Hoxha shihet të jetë pjesë e tubimeve informuese të PDK-së në Drenas.

Në bazë të fotografive, deri më tani, Sejdi Hoxha ka marrë pjesë në tubimet si në Llapushnik, Negrovc, Vuçak, Arllat, Terstenik 1, Polluzhë, Vërboc, Likoshan, Gllanasellë, Gradicë, Dobroshevc, Vasilevë dhe Poklek i vjetër, të gjitha këto fshatra të Drenasit.

Vet Sejdi Hoxha vjen nga ky rajon.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Kryeshefin e Ndërmarrjes “Posta e Kosovës” Sejdi Hoxhën, i cili kërkuar që pyetjet t’i dërgohen përmes emailit.

Ai ka thënë për KALLXO.com se nëse do të jetë pjesë e kandidaturës për Kryetar të Degës së PDK-së në Drenas atëherë kandidaturën e tij do ta bëjë publike dhe do të sigurohet që të mos bie në kundërshtim me ligjin në lidhje me postin që ka tani.

“Nëse do të vendos të jem kandidat për Kryetar te Degës së PDK-së në Drenas, kandidatura ime do të paraqitet me kohë dhe do të bëhet publike. Do të konsultoj mekanizmat ligjorë institucionalë, zyrën ligjore, Agjencinë Anti-Korrupsion për çfarëdo pozite tjetër që synoj dhe do të respektoi çdo vendim nga mekanizmat ligjorë. Asnjëherë ne jetën time nuk do të jem kundër ligjit”, ka thënë Kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha për KALLXO.com.

Partia Demokratike e Kosovës, ka filluar që një kohë të gjatë zgjedhjet e brendshme të saj.

Takimi informues i PDK-së në Gradicë, Drenas, pjesë e së cilit është edhe Sejdi Hoxha, Foto: Facebook

Takimi informues i PDK-së, Paklek i vjetër, Drenas

Në anën tjetër KALLXO.com pati raportuar në lidhje me mbipopullimin e Postës së Kosovës me punëtorë, në ndërmarrjen që Kryeshef është pikërisht Sejdi Hoxha.

Gjithashtu KALLXO.com pati raportuar edhe se konkursi për postier e recepsionistë i parë dy viteve i ka mbajtur të mbyllura procedurat e hapjes së konkursit në janar të vitit 2017.

Vazhdon Mbipopullimi i Postës

Gjithashtu, KALLXO.com ka raportuar në janar të këtij viti se si Kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha, ka publikuar një fotografi me ish- deputetin e PDK-së, Azem Syla, ky i fundit i akuzuar për rastin “Toka”.

Ai gjithashtu ka shkruar përkrah fotografisë me Azem Sylën, se “Kënaqësi që sot patëm në konak për vizitë Komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Dajen Azem”.

https://kallxo.com/drejtori-i-postes-krenohet-se-takoi-azem-sylen-foto/