Kryeqyteti Pas Protestës
Një ditë më parë kishte përjetuar një ditë të rëndë, një nga ato ditët kur sheshi kryesor i saj së pari mbushet me protestues, pastaj me policë e në fund me gaz lotsjellës, gurë gjithandej rrugëve e kontejnerë të rrokullisur.
Prishtina sot nisi ditën e qetë.
Në këtë të diel, njerëzit kishin zgjedhur të dalin të shëtisin rrugës kryesore, e vetmja ku këmbësorët kalojnë pa pasur shqetësimin e veturave.
Shenjat që dje ka pasur trazira nëpër rrugë dalloheshin edhe sot.
Ekipet e pastrimit nuk kanë arritur t’i fshijnë të gjitha gjurmët e lëna nga përleshjet masive të protestuesve me policinë.
Një pjesë e fasadës së ndërtesës së qeverisë ka mbetur ende e nxirë nga flakët e disa shisheve koktej molotovi që janë hedhur nga protestuesit.
Qeveria kishte zgjedhur ta lë të duket ashtu, pa bërë përpjekje për t’i fshirë këto gjurmë nga muri.
Në pjesët ku u zhvillua protesta shihen vazo, shporta e shenja komunikacioni të demoluara e po ashtu mbetjet e gurëve të cilët të shtunën ishin të shumtë.