Kryeprokurori i Shqetësuar me Përqindjen e Kallëzimeve të Hedhura

Ndonëse pati lëvdata për punën e njësitit për luftimin e korrupsionit, kryeprokurori Aleksandër Lumezi kërkoi sqarime se pse vetëm në 35 % të kallëzimeve ka pasur ngritje të aktakuzave.

Këtë pyetje Lumezi ia adresoi anëtares së Komisionit Mbikëqyrës për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, Laura Pula, e cila prezantoi raportin e punës së Komisionit në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Nga raporti e pamë që prokurorët diku 48 % të rasteve gjatë kësaj periudhe i kanë hedhur, 17 % i kanë pushuar e nëse i mbledhim këto bëjnë diku 65 % të rasteve ndërsa vetëm diku 34 % i kemi ngritur aktakuzat. Pra mënyra e zgjidhjes së lëndëve nuk është e kënaqshme për bindjen time dhe këtu duhet me bë një analizë dhe me pa se cila ka qenë arsyeja e prokurorëve për një numër kaq të lartë të rasteve të hedhura dhe të pushuara”, tha Lumezi.

Dhe, prokurorja e shtetit, Laura Pula, si anëtare e Komisionit që mbikëqyr njësitin për luftimin e korrupsionit, dha këtë përgjigje:

“Është viti i parë i zbatimit të planit strategjik dhe ky plan është 2016-2018 dhe në vitin e parë nuk mund të presim rezultatet të 100 % dhe është viti i parë i një të mire”, tha Pula.

Kryeprokurori pyeti edhe për mungesën e të dhënave në raport për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë. E pasi prokurorja Pula tha se kjo kompetencë i takon dikujt tjetër, kryeprokurori ia rikujtoi asaj kompetencat.

“Në planin strategjik nëse më kujtohet mua është paraparë që ju me mbikëqyr edhe konfiskimin e aseteve te veprat e korrupsionit dhe krimet ekonomike ndaras prej koordinatorit kombëtar të krimeve ekonomike dhe mendoj se në të ardhmen duhet me mbikëqyrë edhe këtë”, tha Lumezi.