Kryeprokurori Kërkon Koordinim në Hetimin e Krimeve Ekonomike

Këtë kërkesë, Lumezi e bëri gjatë një takimi që pati me Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni; Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imerin; Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku si dhe Shefin e Departamentit Special Anti Korrupsion në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, gjatë këtij takimi u bisedua për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit, dhe koordinimit sa më të mirë, në mes të Policisë së Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit, me qëllim të ngritjes së efikasitetit të punës së këtyre institucioneve dhe luftimit të korrupsionit, krimeve ekonomike dhe krimeve financiare.

Kryeprokurori Lumezi u shpreh se synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i të gjitha llojeve të krimeve, ku theksoi se prioritetet kryesore i institucionit të cilin ai e drejton, është ndjekja e suksesshme e personave që kryejnë veprat penale dhe që kanë për qëllim rrënimin e bazave të ekonomisë së vendit.

“Luftimi i këtyre llojeve të krimit duhet të jetë sfidë, jo vetëm e Prokurorit të Shtetit, por edhe e të gjitha organeve shtetërore dhe e shoqërisë kosovare. Për këtë qëllim do të bashkëpunohet me të gjitha organet për zbatimin e ligjit e sidomos me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore dhe  me institucionet tjera”, është shprehur kryeprokurori Lumezi.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga të pranishmit që të harmonizojnë, koordinojnë dhe të ndërmarrin veprime konkrete për prononcimet publike, të cilat janë bërë nga personat zyrtar në emisionet televizive, thuhet në komunikatë.

Takimi erdhi pak ditë pasi emisionit “Jeta në Kosovë” përmbylli transmetimin e hulumtimit disamujor “Vjedhja e Organizuar Tatimore” në të cilin u shfaqën format e vjedhjeve në tatime përmes firmave fantome në Kosovë.

Dëmi i cili vlerësohet se i ëhstë bërë buxhetit të shtetit përmes kësaj afere ka qenë rreth 25 milionë euro.

Për tri javë rresht, “Jeta në Kosovë” transmetoi hulumtimin bazuar në rrëfimin e hetuesit të ATK-së, kallxuesit Murat Mehmeti, i cili ka denoncuar këtë vjedhje në KALLXO.com.

Gjatë takimit, Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga Reshat Millaku dhe Shpend Maxhuni që t’i japin prioritet të gjitha indiceve si dhe pretendimeve të cilat kanë bazë të arsyeshme se është kryer apo është duke u kryer ndonjë vepër penale.

Vjedhja e Organizuar Tatimore

Vjedhja e Organizuar Tatimore 2

Vjedhja e Organizuar Tatimore 3

Efekti i Kallxuesit Murat Mehmeti