Seanca e Kuvendit

Kryeparlamentari Veseli propozon Task Forcë për mbrojtje të punëtorëve

Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar për të drejtat e punëtorëve dhe adresimin e papunësisë në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka propozuar që kjo çështje të rregullohet përmes një Rezolute.

Por kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kërkoi nga deputetët që të formohet një task forcë e cila do të merret edhe me investigim të atyre që shkelin të drejtat e punëtorëve.

“Do t’i propozoja, propozuesit të kësaj seance që mos të përfundoj seanca me një rezolutë sot.  Por të bëjmë një task forcë ku do  t’i mbledhim materialet ku punëtorët t’i inkurajojmë të vijnë te ne me materiale dhe më pas të veprojmë”, tha Veseli.

Sipas tij kjo Task Forcë duhet të jetë shumë partiake me rol investigues ku do të punojnë tre deri në gjashtë muaj për këtë çështje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pranoi se ka marrë shumë ankesa nga punëtorët në Kosovë.

“ Nuk ka rast që futem në ndonjë dyqan ose në rrugë që nuk e përmendin të drejtën e punës së tyre. Shpresat që i kanë punëtorët është mbrojtja e të drejtave të tyre. Punëtorët në sektorin privat, duhet tu mbrohet e drejtat e tyre, sepse nuk mund të kesh kapital të mirë nëse nuk e mbron djersen e dikujt”, tha Veseli.

Kryeparlamentari tha se ka raste që e kanë njoftuar se punonjësit janë dënuar në pagë nga pronarët e tyre.

“ Asnjë ditë nuk e dinë kur kanë pushim. Plus i dënojnë , këtë ma thonë punëtorët e marketeve. Ja ndalin 100 – 150 euro për shkak të dëmit që ju shkaktohen pronarëve. Edhe në ndërtimtari është e njëjta gjë. Ata kërcënohen me largim prej vendit të punës. Kontratat nuk i kanë të specifikuara”, deklaroi Veseli.