Kryeministri u Gëzohet Sinjaleve të Administratës së Donald Trump

Në një raport të publikuar dje, Sekretari i ri Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, la të kuptohet se politika amerikane ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, pavarësisht ndryshimeve të shumta në kursin e Shtëpisë së Bardhë ndaj çëshjeve ndërkombëtare qëkur Trump mori drejtimin e shtetit, javën e kaluar.

Duke u ndërlidhur me deklaratat e shefit të Pentagonit, kryeministri Mustafa tha se partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i bazuar në besimin reciprok ndërmjet njerëzve dhe elitave të të gjitha orientimeve politike, i krijuar dhe sprovuar për dhjetëra vjet me radhë.

“Përkrahja e pazëvendësueshme amerikane ishte vendimtare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Populli i Kosovës është botërisht i njohur si populli më proamerikan në glob”, tha Mustafa nënjë koment të tij në Facebook.

Andaj, për shefin e qeverisë së Kosovës, lajmet e mira që vijnë nga administrata amerikane nën lidershipin e Presidentit Trump “janë të pritura dhe të nevojshme për të rikonfirmuar partneritetin strategjik ndërmjet dy shteteve”.

“Prania e KFOR-it amerikan në Kosovë është garanci e stabilitetit në krejt rajonin, ndërkaq formimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim me SHBA-të dhe vendet tjera mike në kuadër të NATO-s, do të jetë faktor i fuqishëm për ruajtjen e paqes dhe ballafaqimin me sfidat rajonale e globale me të cilat mund të ballafaqohemi së bashku me vendet demokratike”, tha kryeministri Mustafa.

Më herët gjatë ditës, edhe Presidenti Hashim Thaçi kishte përshëndetur qëndrimin e administratës Trump për Kosovën.

http://kallxo.com/thaci-pershendet-qendrimin-amerikan-per-ushtrine/