Kryeministri sfidon shifrat e Bankës Botërore: Ka rritje të vendeve të punës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është pajtuar me statistikat e nxjerra së fundmi nga Banka Botërore, e cila përmes një raporti ka ardhur në përfundim se 17 mijë kosovarë kanë humbur vendet e tyre të punës gjatë vitit 2018.

Haradinaj, kur u pyet nga gazetarët të martën për këtë gjë, tha se në Kosovë ka rritje të vendeve të punës.

“Nuk qëndrojnë këto shifra. Në kontekst si i merrni ju, është tjetër gjë. Nuk ka humbje të vendeve të punës në Kosovë, ka rritje të vendeve të punës, statistikat janë ekzistuese. Nuk është ajo rritje që kemi qejf me pa, por ka ritje të vndeve të punës”, tha Haradinaj.

Edhe ish kryeministri Isa Mustafa pretendon se Kosova në vitin 2018 i ka humbur 17 mijë vende të punës, ndonëse Kosova po vazhdon të ketë rritje ekonomike.

“Është lajm i mirë se Kosova po vazhdon të kryesojë me rritjen ekonomike krahasuar me vendet në regjion. Por është lajm i keq se në vitin 2018 kemi humbur 17 mijë vende të punës dhe se kjo rritje ekonomike, e bazuar në investime publike, nuk po gjeneron vende të reja të punës. Përkundrazi!”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Sipas tij, në dy vitet e fundit në Kosovës është rritur shkalla e papunësisë dhe janë zvogëluar investimet e huaja.

Ish kryeministri Mustafa tutje akuzon koalicionin qeverisës se nuk po di dhe nuk po dëshiron të zgjidhë çështjen e papunësisë.

“Derisa institucionet e Kosovës janë të preokupuara me politika populliste, në stilin “kush është më i forti” dhe “kush kujtë”; kush po ndërton më shumë autostrada afër katundit dhe regjionit të vet e kush po shet më shumë tenderë, nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjëve. Papunësinë dhe punësimin e tyre.”, ka shkruar tutje Mustafa në Facebook.