Ramush Haradinaj e Kadri Veseli. Foto: Facebook

Kryeministri që na ‘Krypi’ për Zëvendësministra e Koalicione

I pari i Qeverisë së Kosovë, Ramush Haradinaj, i cili proklamon të jetë njeri ‘me vetëm një fytyrë’ nuk doli të jetë i tillë së paku në dy raste gjatë qeverisjes të cilën e filloi në shtator të vitit të kaluar.

Ai u zu në rrenë gjatë vitit 2017 kur disa prej zotimeve të tij parazgjedhore ‘i shkeli me këmbë’ me t’u bërë Kryeministër.

Fillimisht në maj të vitit 2017, Kryeministri kishte thënë se nuk do të bënte koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës në asnjë rrethanë.

E megjithatë koalicioni fitues i zgjedhjeve përfshiu partinë e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës, Nisma për Kosovën e të tjera.

E muaj më vonë, kur koalicioni i quajtur PAN e bëri Haradinajn kandidat për Kryeministër ai u shpreh i sigurt se nuk do të emëronte më shumë se dy zëvendësministra për ministri nëse do të formonte qeverinë.

E sërish, Kryeministri nuk e mbajti fjalën duke emëruar më shumë se 70 zëvendësministra në Qeverinë e tij.

Që nga fundi fillimi i vitit të kaluar KRYPOMETRI, një verifikues faktesh i certifikuar faktesh i njohur ndërkombëtarisht, ka detektuar gënjeshtrat e bëra zyrtarët publik.

Krypometri është verifikuesi i parë dhe i vetmi i fakteve në Kosovë, i cili u bë pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar për Vërtetimin e Fakteve (IFCN).

Krypometri ka vazhduar matjen e deklaratave të zyrtarëve publikë edhe këtë vit dhe rrenat apo të vërtetat e tyre mund t’i gjeni këtu.