Kryeministri Prezanton Shifra të Luftës Kundër Krimit

Kryeministri Isa Mustafa dha disa të dhëna konkrete për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve ekonomike në Kosovë.

Shefi i qeverisë ka përmendur faktin se gjatë vitit të kaluar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve ekonomike është punuar në 1649 raste.

Mustafa dha sot një shifër e cila konstaton se sa ka qenë numri për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve ekonomike në Kosovë.

“Janë ngritur 894 kallëzime penale ndaj 1561 personave. Në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore janë iniciuar 165 raste për hetime, 6 grupe kriminale janë shkatërruar dhe janë arrestuar 178 persona”, tha Mustafa.

Ai shtoi se është përmirësuar dukshëm edhe siguria, rendi dhe qetësia publike në krahasim me vitin 2014.

“Trendi i rezultateve shihet në faktin se numri i vrasjeve në Kosovë është zvogëluar për 28.57 për qind, në krahasim me vitin 2014, numri i vjedhjeve është në rënie për 22.72 për qind ose rreth 23 për qind, numri i vjedhjeve të rënda po ashtu është në rënie për rreth 22 për qind dhe numri i grabitjeve është në rënie për rreth 30 për qind”, shtoi kryeministri.

Mustafa përmendi edhe rezultatet konkrete të arritura në fusha të ndryshme nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ai tha Kosova është i vetmi vend i cili po zbaton ligjin që ndalon bashkimin e kosovarëve në konfliktet e jashtme.

“Jemi vend i cili kemi Strategjinë kundër terrorizmit dhe kundër radikalizmit i cili çon në terrorizëm dhe ekstremizmit të ndryshëm. Janë marrë masa të rëndësishme në sundimin e ligjit dhe të forcimit të shtetit të drejtës. Masa shumë të rëndësishme kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve ekonomike, luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore”, tha kryeministri.

Sipas Mustafës, rezultate të rëndësishme janë arritur edhe në agjendën evropiane.

“Në këtë aspekt kjo ministri ka përmbushur të gjitha kriteret që kanë qenë në kompetencë të saj sa i përket liberalizimit të vizave”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni  tha se është trajtuar gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend, duke u bazuar në  ngjarjet tragjike të ditëve të fundit në Evropë, sidomos në Bruksel.

“Kosova mburret sot në botë kur thekson që jemi pothuaj në fund të muajit të tetë që nuk kemi shënuar asnjë rast të shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në vatrat e konfliktit dhe kjo ka ardhur si rezultat i punës së madhe që është bërë në periudhat paraprake, qoftë në fushatat e vetëdijesimit, qoftë hartimi dhe aplikimi, përkatësisht zbatimi i strategjive nacionale në këto tema”, tha ministri Hyseni.

Më tej, ministri tha se institucionet përkatëse po bëjnë përpjekje maksimale që Kosova të mos preket nga sulmet terroriste.

“E themi me mburrje që Kosova, ndonëse jemi të vetëdijshëm se nuk mund të jetë imun, mund të preket nga kjo e keqe globale, jemi duke bërë përpjekje maksimale që kjo të mos ndodhë”, tha ministri Hyseni.