Foto: Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa në Samitin e Liderëve në Paris

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Paris ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Të hënën, kryeministri do të marrë pjesë në takimin qendror të Samitit, ku do të jenë të pranishëm presidenti francez François Hollande, kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Christian Kern, kryeministri italian Matteo Renzi, zëvendëspresidentja e KE-së, njëherësh përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Në samitin e tretë që zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit do të marrin pjesë edhe homologët e kryeministrit Mustafa nga Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, gjatë punimeve të Samitit do të bëhet vlerësimi i progresit të arritur në projektet e deritashme si dhe pritet të iniciohen projekte të reja.

Temë e Samitit do të jenë edhe avancimi i bashkëpunimit ndërmjet shteteve në rajon, fuqizimi i ekonomisë dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve.

Gjatë Samitit të Parisit, kryeministri Mustafa do të takohet me drejtuesit e shteteve të BE-së si dhe homologët nga vendet e rajonit.

“Takime të ndara kryeministri Isa Mustafa do të zhvillojë edhe me drejtues të lartë të Bashkimit Evropian, ku do të theksojë përkushtimin e Republikës së Kosovës në proceset eurointegruese si dhe do të kërkojë përkrahje për fillimin sa më të shpejtë të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së”, thuhet në njoftim.