Kryeministri me vetëm dy gra ministre, flet për rolin e gruas në vendimmarrje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova qëndron keq në numrin e grave në vendimmarrje, që sipas tij duhet bërë më shumë për emancipimin e tyre.

Këto deklarata i bëri gjatë konferencës “Forumi Multietnik i Lidershipit të Grave të Reja në Kosovë” me rastin e ditës së gruas.

“Qeveria është punëdhënësi më i madh në nivel vendi dhe 40 për qind janë të punësuara gra në sektorin publik. Mirëpo duhet bërë më shumë për fuqizimin e gruas. Ne kemi punuar ngushtë për ta përmbushur rregullativën ligjore por mbetet ende sfidë zbatimi. Qëllimi ynë është afirmativ dhe zbatues. Qëndrojmë keq me numrin e grave në vendimmarrje. Kjo ngjarje ndihmon në sensibilizimin tonë për fuqizimin e gruas në këtë drejtim”, tha kryeministri Haradinaj.

Sa i përket regjistrimit të pronës së përbashkët, kreu i ekzekutivit tha se ka pasur progres.

“Një nismë tejet inkurajuese që është regjistrimi i pronës të paluajtshme në emër të të dy bashkëshortëve. Në vitin 2016, kanë qenë vetëm 105 raste kur prona është regjistru, ndërsa në vitin 2018, 4100 çifte, që nënkupton që legjislacioni e përkrah dhe qëllimi ynë është i vazhdueshëm”, u shpreh Haradinaj.

Gjithashtu, sa i përket qeverisjes nga gratë, ai tha se Kosova ngec këtu pasi janë vetëm dy ministre gra.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Dider Chabert, u shpreh se Kosova qëndron mirë në angazhimet për të përforcuar rolin e gruas në politikë duke krahasuar me vendet në rajon.

“Duhet bërë shumë për këtë luftë që gratë të bëhen vendimmarrëse dhe të ngritet zëri dhe pozita e tyre. Kjo është një luftë që dihet që bëhet nga ana e institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu- Kodra, njëherësh kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, tha se angazhimi i grave në politikë pavarësisht progresit, sipas saj, ato mbesin jo të përfaqësuara mirë.

“Se ka progres duhet të thuhet nëse krahasojmë me vitin 2015 angazhimi i grave në politike dhe qeveri ka qenë 5.6 ndërsa në vitin 2018 ne kemi një përfshirje prej 11.9 % në institucionet e qeverisë por nuk është pozicion i mjaftueshëm. Në qeverinë aktuale të udhëhequr nga Haradinaj, nga 21 ministri, janë vetëm dy ministre, dhe përgjigje nuk është e mjaftueshme dhe këtu kanë faj të gjitha partitë politike. Kemi 6 gra që janë në pozitën e zëvendësministres dhe mbesin jo të përfaqësuara mirë në qeveri”, tha ajo.

Deliu- Kodra, theksoi se në ekipin negociator për Dialogun me Serbinë, nuk ka asnjë grua si pjesë e kësaj platforme të rëndësishme, por ekipin e përbëjnë 9 burra.