Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë takimit me bordin e KEK-ut- Foto: ZKM

Kryeministri kërkon punë të shpejtë për investimet në Minierën e Re

Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka kërkuar nga bordi i KEK-ut, menaxhmentit dhe anëtarëve të tjerë të komisionit teknik të qeverisë, që të veprojnë e të punojnë për investimet në termocentralin “Kosova e Re”.

Takimi ishte paraparë të mbahet në objektin e Qeverisë së Kosovës, ndërsa mediat u lejuan të marrin pjesë vetëm në fjalimin e kryeministrit Haradinaj.

Ai tha se investimet për “Kosovën e Re” janë punë kryesore të cilat duhet të përfundojnë.

“Shkoi pjesa e parë e vitit 2018 po hyjmë në pjesën e dytë. Kemi ato etapat që jemi të obliguar të veprojmë në lidhje me investimet e “Kosovës së re” e cila është njëra nga punët tona kryesore. Kisha propozuar që ju që jeni kompetent, ta ndihmoni qeverinë e vendit me veprimet e juaja në bazë të kompetencave që punët e minierës të ndodhin me kohë”, tha Haradinaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, theksoi se nuk duhet të ketë vonës për finalizimin e drejtimit të Minierës së Re.

“Si Kosovë i kemi tri mundësi, veriun pa Hade veriun me Hade dhe jugun si tri kahje të ndryshme që është propozuar nga ekspert të ndryshëm. Ne si qeveri kemi vendosur qe ta krijojmë një grup teknik i cili do te shikoj dhe do te vjen me një rekomandim. Vendimi i grupit teknik ka ardh me dy propozime si mundësi të jetë jugu si propozim i parë dhe i dyti propozim ka qenë veriu një fond i zgjeruar që do të përfshijë edhe Haden ne qoftë se Qeveria ka edhe mjete financiare për shpronësim. Sipas një studimi i një kompanie gjermane, rekomandimi është që të shkohet në veri por pa shpronësimin e Hades”, tha ministri Lluka.

Pas takimit i cili ishte mbyllur për media me anë të një njoftimi Zyra e Kryeministrit, ka thënë se drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, është fokusuar rreth konceptit të ri të zhvillimit të minierave të cilat sipas tij do të jenë shumë më efikase dhe me kosto më të ulët të operimit në eksploatimin e thëngjillit.