Foto: Besnik Tahiri/Facebook

Kryeministri jep sqarim për pozitën e Besnik Tahirit

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka sqaruar se pse Besnik Tahiri është emëruar Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.

Ky sqarim vjen pas pyetjes së deputetit të LDK-së Haxhi Avdyli se a po shihen këto pozita si mënyrë “për t’i punësu apo rehatu”, zyrtarët të cilët nuk i kanë sistemuar në poste ministrore apo zëvendës ministrore.

“Emërimi i Besnik Tahirit koordinator nënkupton se reformat shtetërore kanë hy në intensitet ma të madh dhe janë marr me përkushtim”, tha kryeministri Haradinaj.

Sipas kryeministrit, kjo pozitë e koordinatorit nuk është paralele, nuk është as agjenci as nuk ndërhyn në përgjegjësitë e ministrive përkatëse.

Deputeti Haxhi Avdyli kërkoi sqarim sërish nga kryeministri duke e pyetur se a do të thotë që ministritë përkatëse kanë dështuar dhe dikush duhet t’i koordinojë.

“A do të thotë kjo që Ministria e Administratës ka dështuar në reforma kanë dështuar ministrat e tjerë dhe duhet që përmes një koordinatori t’i koordinoni reformat përmes tij apo ku është problemi. Pse duhet që dikush t’i koordinojë këto”, shtoi ai.

E kryeministri tha se “secila ministri është përgjegjëse për fushën e vet të veprimit mirëpo koordinimi mes ministrive institucioneve po edhe mes partnerëve në raste të caktuara përdoren formula të caktuara”.

Kjo sipas tij nuk është mohim i punës së ndonjërës ministri, po bashkërenditje e punëve të kryera përmes këtyre mekanizmave.