Foto: KALLXO.com

Kryeministri i gëzohet miratimit të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje

Kryeministri Ramush Haradinaj në një postim në Facebook, ka shkruar se pas aprovimit të ligjit që trajton ndërtimet pa leje do të përfitojnë të gjithë qytetarët e vendit.

“Aprovimi në Kuvendin e Kosovës i projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e vendit. Tani secili qytetarë mund ta shfrytëzojë të drejtën e tij për ta regjistruar pronën dhe të operojë me të”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij me këtë ligj përfitojnë qytetarët dhe ndryshon edhe statusi i komunave, të cilat forcojnë buxhetin e tyre dhe përcaktojnë pronarët legalë.

“Trajtimi gjithëpërfshirës i ndërtimeve pa leje, thjeshtësimi i procedurave, ulja e kostove për legalizim të pronës, janë vetëm disa nga përparësitë e këtij ligji, të cilat duhet t’i shfrytëzojnë qytetarët e vendit”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.