Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha - Foto: Facebook

Kryeministri Haradinaj Nuk Merr Pjesë në Samitin 100 në Shkup

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se kryeministri Ramush Haradinaj nuk do të mund të marrë pjesë në Samitin 100, në Shkup, të hënën, ku pritet të marrin pjesë, përveç shumë afaristëve nga Evropa Juglindore, edhe kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Haradinaj nuk do të udhëtojë drejt Shkupit vetëm për shkak të agjendës së paracaktuar në Kosovë.

“Pra, mosshkuarja në Shkup e kryeministrit Haradinaj nuk ka të bëjë asgjë me atë se kinse ai nuk dëshiron ta takojë kryeministrin e Malit të Zi, siç raportuan disa portale në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Haradinaj do t’i bëjë ftesë zyrtare për ta vizituar Kosovën kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, dhe ai do ta vizitojë Shkupin në një të ardhme, porse nuk e përjashton mundësinë e vizitës edhe në Podgoricë.

Ndërkaq, nesër kryeministri kosovar nuk udhëton në Shkup për shkak të prioriteteve qeveritare në Kosovë.