Seanca e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Kryeministri Haradinaj dhe deputetja Pacolli e bëjnë njëri – tjetrin “rrenca”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës Fitore Pacolli kanë shkëmbyer akuza duke i thënë njëri-tjetrit se “ju po rreni”.

Ky debat u zhvilluar gjatë interpelancës së kryeministrit për korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.

E gjithë kjo nisi kur deputetja nga radhët e LVV-së, Fitore Pacolli iu drejtua kryeministrit se është duke “rrejt” se nuk ka raport të ekspertëve të BE-së për nivelin e korrupsionit në Kosovë.

“Kryeministër atëherë a po na tregoni, a po rreni ju apo po rren Bashkimi Evropian, këtu duhet të përgjigjeni, sepse ju po thoni gjëra komplet tjera që ka thënë BE-ja”, tha Pacolli.

Kryeministri  Haradinaj nuk e la me kaq. Ai nga foltorja e Kuvendit të Kosovës në kundërpërgjigje ai iu drejtua deputetes Pacolli “ ndoshta ju po rreni”.

“Fjala rren prita me kanë ka fundi i interpelancës, por mbasi erdhi në fillim ndoshta po rreni ju zonja Pacolli, sepse tre janë ka flasin, ju znj. Pacolli, Qeveria dhe BE-ja . Nuk përjashtohet mundësia që edhe ju po rreni”, tha Haradinaj.