Ramush Haradinaj pas votimit | Foto: KALLXO.com
Kryeministri Haradinaj Deklarohet Rreth Zgjedhjeve në Istog
Kryeministri i Kosovës është deklaruar sot rreth rivotimit të djeshëm për kryetar të Komunës së Istogut.
Ai ka thënë se zgjedhjet në Istog kanë treguar pjekurinë tonë si shoqëri dhe kanë dëshmuar vizionin për të ardhmen e vendit.
Haradinaj i ka përgëzuar qytetarët e komunës së Istogut për zgjedhje të qeta dhe e ka vlerësuar përkushtimin e tyre për të marrë pjesë në votim edhe për herën e tretë.
“Zgjedhja e Istogut është zgjedhje e ndryshimit dhe zgjidhje për të ardhmen e qytetarëve të tij”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Tutje, kryeministri e ka vlerësuar punën e të gjithë mekanizmave që janë përkujdesur për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Istog.
“Kryetari i ri i Istogut duhet tani të jetë figura unifikuese e komunës, që do të punojë për secilin qytetar të tij dhe për të mirën e gjithë komunitetit”, shton Ramush Haradinaj.
“Procesi zgjedhor në Kosovë u përmbyll me votimin në Istog dhe është procesi deri më sot më i mirë i organizuar. Kjo është një vlerë e demokracisë në Kosovë që po zhvillohet dhe ndërtohet çdo ditë”, ka theksuar Haradinaj.
Ndryshe, qytetarët e komunës së Istogut votuan dje për kryetarin e tyre.
Në garë ishin Haki Rugova dhe Gani Dreshaj i AAK-së.
Votimi i djeshëm është përsëritje e balotazhit të 19 nëntorit.
Në votimet e rrethit të parë, Rugova e Dreshaj kishin marrë më së shumti vota, por jo të mjaftueshme sa për të fituar zgjedhjet e 22 tetorit.