Boyko Borisov - Foto: Stephanie Lecocq/EPA

Kryeministër për Herë të Tretë?

GERB dhe Patriotët e Bashkuar, një koalicion që bën bashkë tri parti nacionaliste, Frontin Kombëtar të Shpëtimit të Bullgarisë, VMRO-në dhe ATAKA-n, janë pajtuar të formojnë një qeveri koalicioni me mandat katërvjeçar dhe Boyko Borisovin kryeministër.

Marrëveshja u njoftua pas rundit të parë të negociatave për një kabinet të ri të zhvilluar në Parlament.

“Qeveria do të ketë një mandat të qartë prej katër vitesh. Nuk ka asnjë mospajtim se kush do të jetë kryeministër”, tha Delyan Dobrev i GERB-së, i cili është pjesë e ekipit negociator të partisë së tij.

Dobrev bëri të qartë se marrëveshja përfundimtare nuk është arritur ende dhe se raundi i ardhshëm i bisedimeve do të mbahet ditëve në vijim.

GERB, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 26 marsit, me 33.4 për qind të votave, dhe Patriotët e Bashkuar, që u rendit i treti me 9.3 për qind, kanë 122 ulëse, numër i mjaftueshëm për të formuar një shumicë në Parlamentin e Bullgarisë me 240 ulëse.

Borisov të martën hodhi poshtë mundësinë e formimit të një qeverie të koalicionit të gjerë së bashku me nacionalistët dhe Partinë Socialiste Bullgare, BSP, e cila u rendit e dyta me 27.9 për qind të votave.

Ndërsa, Borisov është shprehur i kënaqur me marrëveshjen e arritur me nacionalistët.

“Unë jam i lumtur, sepse kolegët e mi nga Patriotët e Bashkuar janë shumë të përgjegjshëm”, tha ai, raportoi “Dnevnik”.

Ai u tha gjithashtu gazetarëve se kushti i vetëm i GERB-së ishte që nacionalistët të bëhen pjesë e kabinetit, për dallim nga koalicioni i fundit midis GERB-së dhe Bllokut Reformist, i cili ishte vetëm një mbështetës zyrtar i administratës pa pasur ministra.

Ai tha se nuk donte që GERB të “marrë tërë barrën për gjithë shtetin”, siç e kishte më parë.

Borissov ka shtuar se GERB pret që përveç Patriotëve të Bashkuar të mbështetet edhe nga partitë e tjera që kanë hyrë në Parlament – Partia Socialiste Bullgare, Lëvizja etnike turke për të Drejta dhe Liri, MRF, dhe Volya, një projekt populist i kryesuar nga biznesmeni Veselin Mareshki.

Akualisht, GERB dhe Patriotët e Bashkuar janë duke punuar në vënien e kornizave të kabinetit të ardhshëm dhe ende nuk i kanë ndarë postet ministrore.