Kryeinspektori i Arsimit i kundërpërgjigjet SBAShK-ut

Drejtori i Inspektoratit të Arsimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Defrim Gashi ka reaguar pas akuzave që i janë bërë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

Gashi ka thënë për KALLXO.com se me letrën drejtuar DKA-ve në Kosovë, ka kërkuar të respektohet vendimi i ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi për kompensimin e mësimit të humbur në grevë.

“Unë nuk kam kërkuar diçka jashtë kërkesës së ministrit Bytyqi, unë kam kërkuar të zbatohet vendimi i ministrit, kurgjo ma tepër. Po kam dërguar letër që të respektohet vendimi i ministrit, asgjë më shumë”, ka thënë ai.

Kryeinspektori ka shtuar se nuk mban përgjegjësi për deklarimet e të tjerëve.

“Unë nuk mbaj përgjegjësi për atë që se si deklarohen, unë mbaj përgjegjësi për veprimet e mia”, tha Gashi për KALLXO.com.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, sot ka reaguar ndaj Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, lidhur me kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

SBASHK përmes një komunikate tha se, drejtori i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit në MASHT Defrim Gashi ka tentuar që me një shkresë pa titull drejtuar  kryetarëve të komunave, drejtorëve të DKA-ve, drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve, sipas sindikatës, u ka kërkuar që të vënë në zbatim vendimin e ministrit Bytyqi të lidhur  me kompensimin e orëve të humbura në grevë.

SBASHK-u e kishte quajtur cinik kryeinspektorin e Arsimit.

https://kallxo.com/sbashk-serish-i-reagon-ministrise-per-kompensimin-e-oreve-te-humbura-ne-greve/