Sabri Bajgora, Kryeimam i BIK. Foto: Facebook

Kryeimami i Bashkësisë Islame Dëshmitar në Gjykimin e Imamëve

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës Sabri Bajgora, pritet të dëshmojë sot në gjykimin e Fuad Ramiqit dhe katër imamëve tjerë, Bedri Robajt, Idriz Bilibanit, Enes Gogës dhe Mazllam Mazllamit, të cilët po akuzohen për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë

Propozimin për dëgjimin e kryeimamit të Bashkësisë Islame të Kosovës e kishte bërë avokati i Enes Gogës, Durim Osmani, i cili kishte kërkuar që Bajgora të dëshmojë në lidhje me një provë të lexuar nga prokurori.

Kjo provë ka të bëjë me një përgjigje të Bashkësisë Islame të Kosovës  drejtuar Prokurorisë Speciale në lidhje me video-incizimin e ligjëratës së mbajtur nga kryeimami i Pejës Enes Goga.

Sipas përgjigjes së BIK-ut gjatë ligjëratës së tij kryeimami Goga, kishe cituar një thënie të Muhamedit e cila flet për çlirimin e Kostandinopojës, por që sipas kësaj letër-përgjigjeje në atë thënie Muhamedi asnjëherë nuk përmend fjalët shpatë, dhunë apo gjakderdhje.

Gjithnjë sipas përgjigjes së BIK-ut drejtuar Prokurorisë Speciale, fjalët e përmendura nga kryeimami Enes Goga gjatë ligjëratës kanë qenë vetëm mendime personale të tij.

BIK-u në letër ka thënë se metodologjia islame e ligjërimit bëhet me urtësi e nuk mbjell urrejtje, ashtu siç, sipas letrës, kishte bërë Enes Goga.

http://kallxo.com/kryeimami-bashkesise-islame-deshmitar-ne-gjykimin-e-imameve/

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam, gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur xhihadin-shehidllëkun në Siri.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ndërsa, Idriz Bilibani akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit, në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami – OJQ-në  “El Bejan” dhe paraqitjet e tjera publike të incizuara në video, ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, Enes Goga, në pozitën e hoxhës në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit, në televizione, gazeta dhe rrjete sociale, ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Enes Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

http://kallxo.com/fuad-ramiqi-dhe-4-imame-deklarohen-te-pafajshem/