Kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Kreshnik Radoniqi - Foto: KALLXO.com

Kryegjykatësi Kërkon Prani të Policisë në Gjykatën e Pejës

Kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Kreshnik Radoniqi, vendimin e parë në këtë pozitë thotë se e ka marrë për ndalimin e duhanit në hapësirat e Gjykatës dhe degëve të saj.

Kryetari Radoniqi ka shpalosur për emisionin “Drejtësia në Kosovë” planet e tij për katër vitet e ardhshme në krye të Gjykatës së Pejës dhe degëve të saj.

“Puna e parë që e kam bërë si kryetar është që kam lëshuar një urdhëresë që të mos pihet duhani në lokalet e Gjykatës dhe sa kam tani informata kjo është duke u respektuar”, ka thënë ai.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, kryetari Radoniqi ndër problemet kryesore për funksionimin e Gjykatës dhe degëve të saj e sheh çështjen e sigurisë, ku sipas tij nevojitet që Policia të ketë pikë statike brenda objekteve të Gjykatës.

“Kemi pasur kërcënime brenda Gjykatës, kemi pasur dhunë në mes të palëve. Dhe për të ndryshuar këtë situatë është e nevojshme që të kemi policinë prezente në Gjykatë”, ka deklaruar Radoniqi.

Ai ka thënë se përkundër kërcënimeve që i marrin brenda Gjykatës ai dhe stafi i nuk kanë frikë dhe as nuk do të “bien në gjunj” për shkak të kanosjeve.

Radoniqi ka thënë se një ndër problemet tjera mbetet edhe plotësimi i numrit të gjyqtarëve, ku sipas tij mungojnë gjashtë gjyqtarë.

I pyetur se si do ta ndalojë miton në Gjykatën që tanimë e drejton, ai ka thënë se nuk mund të hyjë në mendjen e asnjërit prej gjykatësve.

“Miton nëse do të mundesha me e ndal atëherë do ta merrja çmimin “Nobel”, sepse është e pamundshme që unë të hyj në kokat e gjyqtarëve të mi dhe t`i bind që nuk duhet të merret mito”, ka thënë ai.

Lidhur me rastin e mbikëqyrëses së Degës së Gjykatës në Deçan, Safete Tolaj, kryetari Radoniqi ka deklaruar se rasti është në procedurë hetimore dhe se nuk dëshiron të komentojë.

Del;aratën e plotë të kryegjykatësit Radoniqi mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm: