Shtëpia që krushjanët duan të jetë muze

Krusha Do Muze për Trokitje në Kujtesën Kolektive

Këshilli i fshatit Krushë e Madhe dhe pronarët e shtëpisë në të cilën janë djegur 65 persona në luftën e fundit, kërkojnë që objekti të shpallet muze.

Selami Hoti, kryetari i fshatit Krushë e Madhe tha për KALLXO.com se kërkesa që shtëpia të kthehet në muze i është dorëzuar tashmë Komunës së Rahovecit.

“Kemi kërku që ajo të shpallet muze. Në Krushë të Madhe kanë qenë zyrtarisht të pranuara 2 krematoriume dhe shumë varreza masive. E nji nga ato është kjo shtëpi të cilën dëshirojmë ta shpallim muze, sepse vitet kalojnë dhe gjërat harrohen dhe ajo do të jetë një adresë ku do të trokitet në kujtesën kolektive shqiptare që të kenë kujdes në të ardhmen në veprime dhe të bëma se kah do të shkojmë dhe kah do ta çojmë vendin,” tha Hoti.

Ai deklaroi se kjo shtëpi duhet të kthehet në muze shpejt, përpara se të shkatërrohet plotësisht.

“Kanë kaluar 18 vjet dhe aty dëmtimet janë shumë të mëdha. Ta shpëtojmë bile të mos rrënohen ato mure. Krematoriumi tjetër ka qenë në pjesën e sipërme të fshatit me t’u kthyer pas lufte e kanë rrënu, ka qenë një stallë dhe më duket se kanë ndërtu shtëpi aty,” tha Hoti.

shtepia

Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi tha se procedurat për shndërrimin në muze të shtëpisë ku ndodhi djegia do të nisin në muajt e parë të këtij viti.

“Shpronësimi do të bëhet prej qeverisë. Kjo procedurë ka mundësi që të fillojë në mbledhjen e janarit, por më së largu mbledhjen e shkurtit  për ta shpallur interes të  përgjithshëm dhe interes për shpronësim dhe pastaj vazhdojnë procedurat tjera. Vlera përcaktohet prej komisioneve përkatëse për atë çështje. Është komisioni që  e ndriçon  vlerën e pasurisë në Ministrinë e Mjedisit apo Financave,” tha Vehapi.

Ai tregoi se vetëm pas shpronësimit mund të vazhdojnë veprimet tjera drejt shpalljes muze të shtëpisë së cilës i kanë mbetur në këmbë veç muret.

“Sivjet ne i kryejmë procedurat pastaj fillon shpronësimi dhe realizimi i projektit për konservimin dhe procedurat të tjera vazhdojnë në të ardhmen,” shpjegoi kryetari Vehapi.

Shaban Duraku, pronari i objektit ku ndodhi djegia e disave prej viktimave të masakrës së Krushës tha se me kryesinë e fshatit është marrë vesh që të ndërtohen mure të cilat do ta ndajnë shtëpinë ku ai jeton me familje nga ajo që krushjanët dëshirojnë të jetë muze.

“Unë me kryesinë e fshatit në dhjetor kemi kërku që me i ndërtu do mure që mos me pasë unë pengesë, mos me pasë mundësi me u pa karshi shtëpisë sime më kurrgjë,” tha Duraku për KALLXO.com.

shtepia2

Në masakrën e marsit të vitit 1999 të kryer nga forcat serbe u vranë 206 banorë të Krushës së Madhe të Rahovecit.

Në shkurt të këtij viti “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin që iu kushtua zhdukjes së gjurmëve të masakrës së Krushës.

http://kallxo.com/zhdukja-e-madhe-ne-krushe-te-madhe/

Krusha e Madhe tashmë e ka shtëpinë-muze të filozofit Ukshin Hoti, një pjesë e së cilës është konservuar dhe pjesa tjetër e saj është rinovuar.

Ukshin Hoti që nga ish-regjimi serb u dënua me 5 vjet burg në vitin 1994, u lirua në maj të vitit 1999 dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri