‘KRU Prishtina’ kritikohet ashpër nga Komisioni Parlamentar për shkeljet që janë evidentuar nga Auditori, ‘Posta e Kosovës’ nuk paraqitet për raportim
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar raportin e Auditimit të Kompanisë Regjionale “KRU Prishtina” për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2018.
Kompania në fjalë u kritikua për keqpërdorime dhe mungesë të përformancës nga ana e anëtarëve të Komisionit Parlamentar.
Anëtari i Komisionit, Valon Ramadani (VV) prezantoi disa nga gjetjet kryesore për kompaninë në fjalë si dhe shkeljet e evidentuara.
“Pasqyrat financiare nuk paraqesin një pamje të drejtë. Menaxhimi i të hyrave ka nevojë për përmirësim pasi kontrollet ishin të dobëta. Mosaplikim të masava ndëshkuese ndaj borxhlinjëve si dhe dhe raste pa përshkrim të emrit të konsumatorit dhe numrit personal. Po pyes se edhe pse ka pasur shkelje në prokurim për mallra të përdorura. Çështje tjetër është edhe uji i pafaturuar. 58 për qind është humbja e ujit në kompani, për vitin 2018”, tha Ramadani.
Ai kërkoi përgjegjësi për këto shkelje.
“Dikush duhet të jap përgjegjësi, ky raport duhet të shkojë ne seancë. Për këto keqpërdorime duhet të ndërshkohet dikush sepse nëse jo i bjen qe është motivim për vitin e ardhshëm”, u shpreh ndër të tjerash Ramadani.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj iu drejtua përfaqësuesve të KRU Prishtina që kanë marrë pjesë në këtë mbledhje.
“Raporti është më negativ, nuk ka opinion më të keq, është i kundërt. Kur thotë se pasqyrat janë jo të drejta kemi vendos me iu ftuar juve, të na i sqaroni. Sepse kur janë këto gjetje negative për ne deputetët nuk mbetet shumë, pos që me këto raste të merret prokuroria”, tha Selmanaj.
Në anën tjetër, Betim Berisha, kryesues i Bordit të KRU Prishtina u zotua se do të punojnë për përmirësimin e gjendjes.
“Ne pas marrjes së raportit kemi pas mbledhje dhe kemi kërkuar një plan për eliminimin e këtyre të gjeturave. Do ti marrim masat konkrete në mënyrë që vitin e ardhshëm të kemi një raport më të mirë”, u shpreh ai.
Kurse, Kryeshefi i Kompanisë KRU Prishtina, Ilir Abdullahu tha se këtë vit kanë mbërri që edhe Fushë Kosovën ta bëjnë me ujë të pijes.
Pas kësaj reagoi, kryetari i Komisionit Driton Selmanaj.
“Nuk ju kemi ftuar që të flisni për furnizimin me ujë por vetëm lidhur me raportin e Auditimit”, tha ai.
Ndërkaq Kryeshefi i KRU Prishtina, Ilir Abdullahu tha se janë ndërmarrja e parë në Kosovë që po e bëjnë vlerësimin e aseteve.
“Ne brenda 40 ditëve do ta kemi vlerësimin dhe të dhëna të sakta të pasurisë. Ne ju kemi përmbajt ligjit ARU-së që kërkojnë se çdo objekt duhet ta kenë një ujë matës. Ato janë regjistruar dhe i vetmi gabim është që atë sasi në vend që konsumatori ta riprogramojë, ndoshta dikush i ka paguar më vonë.
Ne kemi rreth 140 mijë konsumatorë dhe kryejmë shërbime për mbi 500 mijë banorë.
Mosha e shtyrë e punëtorëve të kompanisë është një tjetër çështje. Nga viti 2016 deri më tani kemi vetëm një rritje të numrit me vetëm 20 punëtorë”, tha ai.
Ndërsa, anëtari i Komisionit Andin Hoti (PDK) kërkoi të dijë nëse janë adresuar edhe 7 rekomandime te zyrës së Auditorit.
“Unë nuk po ua vë fajin mbi supe ju, pasi sapo jeni emëruar si bord”, tha ai.
Kurse, Kryeshefi tha se janë në proces te adresimit të rekomandimeve.
Komisioni Parlamentar në këtë mbledhje ka miratuar edhe Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.06/L-021 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.
Në këtë mbledhje nuk kanë ardhur fare përfaqësuesit e Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” për shqyrtimin e raportit të Auditimit për këtë ndërmarrje për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2018, veprim të cilin e kritikoi kryetari Driton Selmanaj.
“Kemi pasur konfirmim por ata nuk kanë ardhur. Përveçse ata kanë raport shume negativ, ata tregohen edhe të papërgjegjshëm”, tha Selamanaj.