
Faqja e internetit e KRPP-së | Foto: KALLXO.com
KRPP ‘U Mbledhë Betë’ Autoriteteve Kontraktuese
Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) u ka bërë me dije autoriteteve kontraktuese katër çështje kryesore që kanë të bëjnë me prokurimet qendrore.
KRPP-ja në një komunikatë tregoi se autoritetet kontraktuese do të ndëshkohen nëse nuk bashkëpunojnë me Agjencinë Qendrore të Prokurimit, ose nuk përmbushin detyrimet e caktuara prej saj.
Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në rast mosbashkëpunimi me AQP-në, autoriteteve kontraktuese do t’u merren certifikatat e prokurimit.
“Autoritetet kontraktuese që nuk bashkëpunojnë me AQP-në do të merren masa për marrjen e certifikatave të prokurimit”, bën të ditur komunikata.
Mos-përmbushja e kërkesave të AQP-së, autoritetet kontraktuese i përjashton nga prokurimet qendrore dhe nuk u publikohen njoftimet.
“Autoritetet kontraktuese që nuk u përmbahen kërkesave të AQP-së për prokurimet qendrore do të përjashtohen nga ato aktivitete dhe si rrjedhojë KRPP-ja nuk do të publikojë aktivitetet e tyre dhe do të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore”, tregon komunikata.
KRPP-ja do të informohet nga Agjencia Qendrore e Prokurimit për autoritetet kontraktuese jobashkëpunues
“KRPP do te informohet nga AQP-ja për çdo Autoritet kontraktues në rast se autoritetet kontraktuese refuzojnë të ofrojnë bashkëpunimin siç ceket me LPP, Udhëzimi Administrativ (QRK) Nr. 03/2017 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 05/2016 për Zbatimin e Procedurave Qendrore të Prokurimit Publik, i cili është miratuar në mbledhjen 133 të Qeverisë së Kosovës, me Vendimin N.02/133, datë 24.02.2017”, shpjegon vendimi.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik njofton se do të anulojë çdo kontratë të lidhur pa miratim të Agjencisë Qendrore të Prokurimit.
“Çdo kontratë e lidhur në kundërshtim me udhëzimet për prokurime qendrore dhe pa miratim të AQP-së do të shpallet e pavlefshme gjatë periudhës së ardhshme siç parashihet me Ligjin e Prokurimit Publik”, thuhet në komunikatën e KRPP-së.