Liqeni i Përlepnicës. Foto: MZHE

Kriza për ujë të pijshëm në Gjilan, Haziri takon dy ministra të Qeverisë

Komuna e Gjilanit është në krizë për ujë të pijshëm. Këtë, ditë më parë e tha edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ndërsa, sot ai ka ftuar në një diskutim për ta zgjidhur problemin për ujë të pijshëm edhe dy ministra nga Qeveria e Kosovës, Valdrin Llukën nga dikasteri i Zhvillimit Ekonomik dhe Fatmir Matoshin nga ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Duke qenë dëshmitar të krizës për ujë të pijshëm në rajonin e Gjilanit dhe nën organizimin e Komunës së Gjilanit dhe Ujësjellësit Rajonal Hidromorava, sot morra pjesë në tryezën e thirrur nga Kryetari Lutfi Haziri dhe Kryeshefi Muhamed Suliqi me temë: Furnizimi afatgjatë i Gjilanit me ujë të pijshëm: “Shqyrtimi i Alternativave për Sigurimin e Burimeve të Ujit””, shkroi në “Facebook” Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

“Fillimisht, së bashku me Ministrin Matoshi dhe Kryetarin Haziri, vizituam Liqenin e Perlepnicës ku shikuam nga afër se si rezervat ujore janë zvogëluar si asnjëherë më parë, kryesisht për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike. Nga 3.5 milionë kubik metër ujë që parashihet të ketë ky rezervuar, sasia ka rënë në 1 milion m3, që ndryshe mund të thuhet se në situatë të ngjashme klimatike, ka furnizim për rreth 2 deri ne 3 muaj kohë”, tha tutje ai.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se po punohet që të gjendet një zgjidhje afatshkurtër dhe afatgjate për komunën e Gjilanit.

“Aktualisht po analizohen 4 burime emergjente që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e përkoshme të problemit, por ajo çfarë potencova gjatë fjalimit ishte se Gjilani së bashku me nivelin qëndror duhen të fokusohen në zgjidhje afatgjate të këtij problemi, duke siguruar rezerva tjera shtesë të ujit të pijës. Është hera e 4 që nga paslufta që Gjilani vjen në një situatë të ngjashme”, tha ai.

Foto: MZHE

Ai tha se Qeveria e Kosovës së bashku me ndihmën e Bankës Botërore po punojnë një projekt për të ndërtuar një akumulues të ujit.

“Sot është krizë ujore në Gjilan, para pak kohe kemi pasur krizë të tillë në Prishtinë. Ndërkohë, raporti i fundit i Bankës Botërore ka treguar qartë se Kosova ka vetëm 230 metër kub rezerva ujore për kokë banori, kurse vendet e rajonit me mbi 650 metër kub, kurse shtetet e zhvilluara të Evropës, rreth 1700 m3 për kokë banori. Në bazë të këtij raporti, Qeveria e Kosovës, me ndihmën e Bankës Botërore, janë duke i trajtuar dy mundësi për investime: 1. Akumuluesi në Kamenicë dhe 2. Akumuluesi ne Suharekë. Varësisht nga propozimet e kësaj tryeze të organizuar në Gjilan, së bashku me Ministrin Fatmir Z. Matoshi dhe Kryetarin Haziri, u zotuam për të përkrahur rekomandimet e ekspertëve”, tha në fund Lluka.