Kritikohet Puna e Agjencisë së Privatizimit

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik me shumë vonesë u paraqit raporti i punës së AKP-së për vitin 2014.

Agjencia e Privatizimit të Kosovës këtë raport pune është dashur ta paraqesë para komisionit deri në qershor të vitit të kaluar.

Kryesuesi i komisionit Muhamet Mustafa tha se ka pasur ngecje në punën e AKP-së, ndërsa sipas tij privatizimi duhet të përshpejtohet.

“Gjatë vitit 2014 as shitja e as likuidimi nuk e kanë pasur atë dinamikën që duhet ta kishin, ndoshta për shkak të pengesave me bord, por ndoshta edhe përgjegjësitë e menaxhmentit që duhet të kishin, andaj kërkohet përshpejtim i procesit të privatizimit,” tha Mustafa.

Ai megjithatë deklaroi se ka përparim në çështjen e uzurpatorëve.

“Çështja tjetër ka të bëjë me uzurpatorët te e cila shihet një progres nga ana e AKP-së dhe si çështje më e rëndësishme në gjithë procesin është mobilizimi i mjeteve të mirëbesimit në funksion të zhvillimit ekonomik,” tha Mustafa.

Drejtori menaxhues i AKP-së Avni Jashari u arsyetua për pengesat në kryerjen e punëve me moskompletimin e bordit.

“Sfidat kryesore të AKP-së gjatë viti 2014 kanë qenë mungesa e tre anëtarëve të bordit të drejtorëve që nga maji i viti 2013, sfida e dytë ka qenë mungesa e drejtorit menaxhues, sfida e tretë ka qenë suspendimi i njërit zëvendësdrejtor nga bordi menaxhues dhe dorëheqja e tjetrit zëvendësdrejtor nga ky bord, këto kanë qenë pengesat për kryerjen e disa detyrave të kësaj agjencie,” tha Jashari.

Pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 bordi i AKP-së mbeti i pakompletuar, pasi për 6 muaj nuk u konstitua Kuvendi i dalë nga këto zgjedhje.

Jashari foli edhe për punët e kryera të Agjencisë së Privatizimit.

Sipas Jasharit gjatë 2014-ës nga AKP-ja është bërë “nënshkrimi i 145 kontratave të shitjes, likuidimi i 123 ndërmarrjeve shoqërore,  shqyrtimi i 33 mijë e 745 kërkesave të kreditorëve, si dhe shpërndarja e 16 milionë eurove për 20 % e punëtorëve”.

Por punëtorët e “Ballkanit” të Suharekës që 30 muaj protestojnë, ndërsa njëra nga kërkesat e tyre është që të gjithë punëtorët ta marrin 20 përqindëshin nga shitja e ndërmarrjes. Edhe punëtorët e Fabrikës së Tubave që më shumë se 600 ditë po kërkojnë paratë për largimin e padrejtë nga puna në vitet ’90, të fituara me vendimet e të gjitha shkallëve të gjykatave kosovare.

http://kallxo.com/918-ditet-e-greves-se-ballkanit/

http://kallxo.com/grevistet-e-celikte-kerkojne-kthimin-e-tendes/

Avni Jashari përmendi lirimin nga uzurpatorët të 17 objekteve nën menaxhimin e AKP-së vetëm brenda një muaji, ndërsa sipas tij 74 objekte janë në proces të lirimit nga uzurpatorët.

Jashari tha se më nuk do të shiten objekte shoqërore që janë të uzurpuara, pa u liruar ato.

Sipas raportit të Jasharit, AKP-ja në vitin 2014 i ka rritur inkasimet nga qiraja për 56 për qind, nga 1.2 milionë euro sa kanë qenë në vitin 2013, inkasimet  janë rritur në 1.9 milionë euro në vitin 2014, përderisa fondet e mirëbesimit në fund të vitit 2014 kanë qenë 562 milionë euro.

Raporti nuk i pëlqeu as Beqim Beqajt.

“Raporti i vitit 2014  nuk është i përpiluar si duhet, numrat duhet të shënohen me presje, me rregulla të kontabililetit, raporti i vitit 2015 të jetë me rekomandime për ndërmarrjet e privatizuara si ‘Famipa’ e jo të përmbajë vetëm përshkrim të gjendjes nga auditori. Këto të dhëna nuk po tregojnë performancën e ndërmarrjeve,” tha Beqaj.

Komisioni nga AKP-ja kërkoi afat kohor për përfundimin e procesit të privatizimit, sepse sipas statistikave të AKP-së kanë mbetur pa u shitur edhe 55 për qind apo 1,500 asete, përderisa prej vitit 2002 janë shitur vetëm 45 % e aseteve.

Komisioni kërkoi nga AKP-ja që sa më shpejt të bëjë një plan real të një kornize kohore të përmbylljes së procesit të privatizimit dhe likuidimit, të ketë raporte sa më të qarta për ndërmarrjet që janë në administrimin e AKP-së si “Trepça”, të inkurajojë që fondet e privatizimit të shkojnë për investime, e jo në konsum për blerjen e letrave me vlerë. [interaction id=”56e926b051c54f4063c516f3″]