Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa | Foto: KALLXO.com

Kritikohet dhe Miratohet Buxheti i RTK-së për 2015-ën

Drejtori i RTK-së Mentor Shala gjatë fjalës në komision theksoi se pavarësisht vështirësive që ka, RTK-ja e menaxhoi mirë buxhetin që e cilësoi të vogël.

“Duke e pasur parasysh buxhetin e vogël si transmetues publik dhe vështirësitë e shumta me të cilat është përballur me vite të tëra ky medium, mendoj se e kemi menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha Shala.

Ai foli edhe për borxhet e RTK-së, pa i precizuar ato.

“Gjatë vitit 2015 kemi shpenzuar 12.3 milionë euro, ndërsa të realizuara edhe nga aktivitet tjera janë 12.4 milionë euro, kjo nuk do të thotë se neve na kanë mbetur pare, ne absolutisht nuk kemi pare, sepse kërkesat i kemi shumë të mëdha, kemi edhe borxhe të mëdha,” tha Shala

Anëtarja e komisionit Besa Gaxherri kritikoi edhe drejtorin Shala, por edhe raportin e Auditorit të Përgjithshëm për RTK-në që tha se nuk e ka dhënë shumën e borxheve të këtij mediumi.

“Unë kam pritur shumë gjana nga auditori, është dashur të kalkulohet saktë sa është borxhi që e ka RTK-ja. Ne kemi ngritur shumë gjana me vite të tëra, as ju menaxhmenti nuk keni mundur të na jepni, e as tash auditori vlerën e borxheve. Një gjë tjetër që neve si Kuvend nuk na falet është çështja e pronës të cilën që sa vite ne nuk kemi mundur ta rregullojmë për këtë medium,”tha Gaxherri.

Agjencia Kosovare e Privatizimit në muajin maj i kërkoi RTK-së të lirojë për pesë ditë objektet e ish-RTP-së, ose të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me këtë agjenci.

http://kallxo.com/bordi-rtk-ja-ska-linje-buxheti-per-qira/

Anëtari tjetër i komisionit Bardhyl Metaj theksoi se RTK-ja ka një milion probleme, duke filluar nga borxhi i bartur prej vitit në vit, digjitalizimi i pakryer dhe prona e papërcaktuar.

“Te investimet imediate tash RTK-ja ka edhe një borxh prej 4.5 milionë euro i cili po bartet ndër vite, RTK-ja ka edhe problemin e digjitalizimit, ka mbetur i padigjitalizuar nga brenda,  domethënë ka një mijë probleme, mandej është çështja e pronës. Qeveria duhet ta gjejë një pronë, pastaj ta marrë një kredi të butë ndërkombëtare e ta ndërtojë objektin dhe kjo çështje të zgjidhet një herë e përgjithmonë,” tha Metaj

RTK-ja në vitin 2015 kishte tejkaluar buxhetin për paga dhe mëditje, pasi në fund të këtij viti kishte të punësuar 712 punonjës.

Sipas komisionit, duke e krahasuar me mediumet tjera që kanë nga 100 punëtorë, 6 herë më pak se RTK-ja, ky medium nuk kishte menaxhim të mirë në planifikim të punësimit.

Menaxhmenti i RTK-së u arsyetua se nuk bëjnë shkelje ligjore në trajtimin e punëtorëve, nuk i ngarkojnë punëtorët me punë jashtë kontratës siç bëjnë mediumet tjera dhe kjo e rrit edhe koston e të punësuarve.