Arbana Xharra gjatë aderimit në PDK - Foto: Facebook

Kritikohet Arbana Xharra për Aderimin në PDK

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, Arbana Xharra kishtë thënë “… unë personalisht nuk pres reforma nga emrat e rinj”, duke shtuar se në PDK është një grup i vogël që merr vendime.

Pas 16 vjetësh karrierë në gazetari, Arbana Xharra sot i dha lamtumirën profesionit të saj, për të nisur rrugëtimin e saj në politikë.

Partia të cilën e kritikoi për vite me radhë, e të cilën e quante strehë të krimit e korrupsionit, nga sot do të jetë vendi i saj i punës.

Arbana Xharra doli në konferencë para tashmë ish-kolegëve të saj gazetarë, bashkë me kreun e PDK-së, Kadri Veselin, për të zyrtarizuar anëtarësimin e saj në këtë parti.

Por, vetëm pak kohë pas këtij lajmi, rrjetet sociale u vërshuan nga komentet, kryesisht kundër saj.

Lumir Abdixhiku nga Instituti “Riinvest”, pa përmendur emrin e saj direkt, Arbana Xharrën e ka quajtur pakurrizore e kritikën peshkim për privilegje pushteti.

“Matrapazat, hajnat, kriminelët, vrasësit, dhunuesit, kërcënuesit e kapësit e deridjeshëm – siç i quanit vet – s’janë më ndryshe sot. Sot më ndryshe jeni ju; të gjithë ju nën ta. Ju që për pak pushtet i bëni argat kapjes. Ju që bëni karrierë duke kritikuar të keqen, për t’iu bashkuar në fund të njëjtës së keqe. Të tillë s’i duheni shoqërisë këndej, keni gjetë vendin taman atje”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Tutje ai ka thënë se “pakurrizorja është bërë model. Sot kritika e përpjekja s’bëhen për besim në vlerë, por për peshkim të privilegjeve të pushtetit. Është pazar i trishtë”.

Ndërsa, Agron Demi nga Institutit GAP vendimin e Xharrës e ka quajtur akt qyqar.

“… dhe, legjenda thotë se gazetarja ma e “guximshme” bëri aktin ma qyqar. “Luftëtarja” e ekstremizmit dhe korrupsionit iu bashkua atyre që e kanë zhvatur këtë vend dhe kanë nxitur ekstremizmin për me ruajt pushtetin”, ka shkruar Demi në “Facebook”.

E Haki Abazi ka shkruar: “O mo Arbana, si është Big-Brother!!!!”.

Kurse, gazetari Agron Halitaj ka shkruar se: Giovanni Sartori i përkufizon ekstremistët si falsifikatorë të lindur dhe se kush u beson të tillëve, një ditë dëshpërohet.

“Me këtë, ai u jep njerëzve për të kuptuar se asnjëherë nuk duhet t’u besohet verbërisht atyre që çirren e bërtasin, shtyhen me bërryla e godasin, etiketojnë e diskreditojnë, viktimizohen e vet-heroizohen, vetëm për të qenë në qendër të vemendjes”, ka shkruar Halitaj në “Facebook”.

“Veç ta bëjmë të qartë edhe një herë: PDK’ja është e keqja e madhe e këtij vendi”, ka shkruar ai.

Deri më tani vet Xharra nuk ka bërë asnjë postim në Facebook, ndërsa shefi i saj, Kadri Veseli, i ka uruar mirëseardhje edhe me një postim në këtë rrjet social.

“E mirëpresim anëtaren më të re të Partisë Demokratike, Arbana Xharrën. Mirë se erdhe, Arbana!”, ka shkruar Veseli.

Ndër përkrahësit e rrallë të vendimit të ish-kryeredaktores së gazetës “Zëri” është gazetari Berat Buzhala. “Ashtu siç e respektoj të drejtën e ish këshilltarit të Hashim Thaçit, Dukagjin Gorani, me shku në Vetëvendosje, e respektoj edhe të drejtën e Arbana Xharrës me shku në PDK, e edhe të drejtën e gjithësecilit pjesëtar të mediave ose të shoqërisë civile për me qenë pjesë të partive politike… E respektoj të drejtën e Arbanës për me u marrë me politikë. Do ta gjykojmë ma vonë. Mos e dhezni zjarrin kaq herët, për me e pjekë. Ka kohë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.