Kritikohen Raportet e KRPP-së, OSHP-së e KPM-së

Komisioni për Buxhet dhe Financa kritikoi raportet financiare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), Organit Shqyrtues për Prokurim Publik (OSHP), dhe Komisionit të Pavarur për Media (KPM), të cilëve u dha kohë që të përmirësojnë raportet financiare për vitin 2015.

Kryetari i KRPP-së, Safet Hoxha, prezantoi para Komisionit raportin vjetor për vitin 2015, me ç’rast theksoi se gjatë këtij viti janë shpenzuar në total 516 milionë euro përmes prokurimit publik.

“Sipas raporteve të cilat i kemi marrë nga autoritetet kontraktuese, gjatë vitit 2015 kemi gjithsej 10.895 kontrata publike, prej tyre 305 janë aneks-kontrata për punë shtesë, që në total kapin shumën në vlerë prej 516 milionë euro duke përfshirë edhe vlerën prej 114 milionë euro që i dedikohet autostradës ose 401 milionë euro kanë qenë aktivitete të reja të prokurimit”, tha Hoxha

Raporti i KRPP-së tregon se 189 milionë euro apo 47 % janë furnizime, shërbime janë 57 milionë euro apo 14% dhe punë janë 154 milionë euro apo 38% nga totali i 401 milionë eurove.

Kryetari i Komisionit për Buxhet e Financa, Naser Osmani, theksoi se pasqyrat financiare të vet buxhetit të KRPP-së kanë kalkulime të pasakta dhe kërkoi që një gjë e tillë të përmirësohet nga zyrtari financiar.

“Unë kërkoj që raporti financiar i buxhetit të KRPP-së duhet me u përmirësu. Këto kalkulime nuk janë të sakta. Përgjegjësi financiar duhet të bëjë llogaritjen e saktë. Ky është dokument zyrtar, nuk mundemi me e pranu kështu, sepse ne jemi komisioni funksional për KRPP”, tha Osmani.

Ndërsa, anëtarja e Komisionit, Besa Gaxherri, kërkoi nga KRPP që të bëhet një analizë se cilat kompani marrin vazhdimisht tenderë.

“Duke e pasur parasysh prokurimin publik nga viti 2007 deri më tani ju si KRPP a keni mujtë me nxjerrë ndonjë analizë apo statistikë në bazë të monitorimit që sa për qind e kompanive të njëjta marrin pjesë në tenderime prej vitit 2007 deri sot. Nuk dua të paragjykoj, mirë që kompanitë tona janë ngritë në këmbë dhe janë zhvilluar, por nuk duhet që e njëjta kompani çdo vjet me fitu tendera”, tha Gaxherri.

Pas KRPP-së, raportin financiar për vitin 2015 e prezantoi edhe OSHP-ja, e cila kishte të njëjtat gabime në kalkulime, për çka raporti iu kthye mbrapsht për përmirësime.

Kryetari i OSHP-së, Blerim Dina, para Komisionit theksoi mangësitë të cilat i ka pasur OSHP në mungesë të bordit deri në përzgjedhjen e tij.

“OSHP gjatë vitit 2015 ka pranuar gjithsej 592 ankesa, prej tyre janë shqyrtuar 567, kurse 25 kanë mbetur pa u shqyrtuar për shkak mungesës së bordit, 166 ankesa janë kthyer në rivlerësim përderisa 129 në ritenderim, kanë qenë edhe 54 operatorë ekonomikë që kanë tërhequr ankesat e tyre, kurse vet OSHP ka dërguar në gjykata 4 raste për moszbatim të vendimit të OSHP”, tha Dina.

Edhe Komisioni i Pavarur për Media paraqiti raportin financiar me të njëjtat gabime në kalkulim sikurse KRPP dhe OSHP, me ç’rast u kthye për përmirësime.

Raportet të cilat u miratuan pa gabime ishte raporti financiar i Komisionit për Miniera dhe Minerale dhe Raporti Financiar i Agjencisë Kundër Korrupsionit.