Kreu i LDK-së përkujton masakrën e Mejës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar të ekzekutuarit e Masakrës së Mejës me rastin e 20 vjetorit të kësaj ngjarje makabre.

Në letrën e tij, Mustafa tha se sot po bëhen 20 vite ku me krenari përkujtojmë të gjithë të rënët që sakrifikuan çdo gjë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Lëndina e Pikëllimit në Mejë të Gjakovës është e mbushur me varre të grave, burrave, fëmijëve dhe të moshuarve të cilët nuk u kursyen, të gjithë ata idealistë për Kosovën e lirë të cilën nuk arritën dot ta shihnin. Është një ditë më shumë që frymëzohemi për të punuar dhe dashur më shumë shtetin tonë”, shkruan Mustafa.

Kreu i LDK-së shtoi se Masakra e Mejës si dhe të gjitha masakrat tjera të kryera në Kosovë gjatë luftës janë dëshmi e krimeve të Serbisë.

“Kjo ditë të mos jetë vetëm përkujtim i 377 viktimave të masakruara në Mejë por edhe një thirrje më shumë për zbardhjen dhe drejtësinë për të gjitha viktimat e luftës”, thuhet në letrën e Mustafës.