Krerët e shtetit urojnë për Kërshëndellat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe drejtues të partive politike, kanë uruar qytetarët e Kosovës të besimit katolik me rastin e Festës së Krishtlindjeve.

Thaçi ka shkruar se Kërshëndellat janë festë e paqes dhe e dashurisë.

“Në këtë natë të shenjtë të Kërshëndellave, uroj besimtarët e krishterë që këtë festë të madhe ta kalojnë në atmosferë hareje, me gëzime dhe begati në familjet e tyre. Kërshëndellat janë festë e jetës, paqes dhe dashurisë mes njerëzve, prandaj t’u gëzohemi të mirave dhe begative që na sjellë jeta. Në këtë kremte të madhe, që bashkon familjet tona, shprehim solidaritetin dhe kujdesin për të gjithë njerëzit në nevojë dhe nderojmë të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj tha se kjo festë duhet të shërbejë për harmoni dhe mirëkuptim mes njerëzve.

“Le të shërbejë kjo festë e faljes dhe solidaritetit, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve “për të na bërë bashkë si njerëz dhe si shqiptarë, të na jep forcën që t’u gjendemi pranë atyre që janë në vështirësi e të përkujdesemi për të gjithë. Në këtë ditë kujtojmë brezat që janë flijuar për një të sotme më të mirë, duke na bërë bashkë për ta ndërtuar një të nesërme me mirëqenie dhe progres për të gjithë qytetarët tanë”, tha Haradinaj.

Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka uruar besimtarët katolikë e protestantë për Kërshëndella.

“Në këtë natë të shenjtë, të gjithë të krishterëve të Kosovës, katolikë e protestantë, ua uroj Krishtlindjen, festën e madhe të shpresës, humanizmit dhe dashurisë njerëzore”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në “Facebook”.