Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov - Foto: REL/Reuters

Kremlini i cilëson ‘të papranueshme’ akuzat e Britanisë për rastin Skripal

Kremlini ka mohuar të enjten se Rusia ka qenë e përfshirë në ndonjë mënyrë në helmimet e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, duke i përshkruar akuzat britanike se sulmi është miratuar nga zyrtarë të lartë ruse, si të “papranueshme”.

Britania ka akuzuar dy rusë në mungesë të mërkurën, për tentim-vrasje të Skripalëve në Sallsbëri të Anglisë në muajin mars.

Autoritetet britanike kanë thënë se të dyshuarit kanë qenë zyrtarë të inteligjencës ushtarake të Rusisë dhe se me shumë mundësi kanë vepruar sipas urdhrave të autoritetete të larta të Federatës Ruse.

“E përsërisim se as udhëheqësia e lartë apo ndonjë përfaqësues i tjetër niveli nuk ka dhe nuk ka pasur lidhje me ngjarjet në Sallsbëri”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Secili supozim i këtij lloji të akuzave, e përsëris, është i papranueshëm”, është shprehur ai.

Policia britanike ka prezantuar disa pamje të dy rusëve të identifikuar si Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, të kenë udhëtuar nga Rusia në Angli për të vrarë Skripalët me agjent nervor, Noviçok.

https://kallxo.com/ministri-britanik-putin-ka-pergjegjesi-perfundimtare-per-helmimin-kunder-skripaleve/

Peskov ka thënë se Moska nuk mund të japë informata për identitetet e burrave, sepse nuk ka pranuar kërkesë zyrtare nga Londra për të bërë një gjë të tillë.

Britania në anën tjetër ka deklaruar se nuk do t’i kërkojë Moskës ekstradimin e këtyre dy personave pasi Kushtetuta Ruse e ndalon këtë akt. (REL)