Presidenti rus, Vladimir Putin - Foto: REL/AFP

Kremlini e Cilëson ‘të Neveritshëm’ Krahasimin e Putinit me Hitlerin

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, ka thënë se krahasimi i sekretarit të Jashtëm britanik, Boris Johnson, që organizimi i Kampionatit të futbollit për Kupën e Botës në Rusi me Lojërat Olimpike të vitit 1936 të mbajtura në Gjermaninë Naziste janë “të neveritshme” dhe “të papranueshme”.

“Kjo është një deklaratë e neveritshme. Është përtej ndonjë ministri të Jashtëm të ndonjë shteti”, ka thënë sot Peskov.

“Padyshim është ofenduese dhe e papranueshme”.

Më 21 mars, Johnson është pajtuar me një ligjvënës britanik, i cili ka deklaruar se Putini do të tentojë të përdorë turneun e futbollit për të fuqizuar imazhin e Rusisë, njëjtë sikurse Adolf Hitleri në Lojërat Olimpike të vitit 1936.

“Mendoj se krahasimi me vitin 1936 është plotësisht i drejtë”, ka thënë Johnson, i cili ka parashikuar mburrjen e Putinit “për këtë organizim sportiv”.

Këto deklarata kanë ardhur pasi komiteti i ligjvënësve britanikë ka diskutuar për helmimin e ish-spunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia me agjent nervor Noviçok në Britani.

Ish-spiuni rus dhe vajza e tij vazhdojnë të mbesin në gjendje kritike derisa Rusia mohon çdo përfshirje në këtë incident. (REL)