(VIDEO) Krejt çka ndodhi në seancën për rastin ‘Pronto’

11 të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’ janë deklaruar sërish të pafajshëm rreth akuzave që rëndojnë ndaj tyre.

Në  rastin ‘Pronto’ akuzohen Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Ilhami Gashi, Xhavit Dakaj, Fatmir Shurdhaj, Sadat Gashi, Ismet Neziraj, Rexhë Abazi, Nijazi Kryeziu dhe Arbenita Pajaziti.

“Trupi gjykues në këtë periudhë kohore vendos që aktakuza të lexohet dhe unë si kryetar i trupit gjykues kërkoj që të pandehurit të ngritën në këmbë”, tha kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti.

Deklarimi i tyre rreth fajësisë ndodhi pas vërtetimit të aktakuzës dhe pas leximit të së njëjtës nga prokurorja speciale Drita Hajdari.

Pas deklarimit lidhur me fajësinë, gjykimi vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse.

E para filloi prokurorja speciale Drita Hajdari, fjala hyrëse e të cilës shkaktoi reagime të shumta nga ana e të pranishmeve.

“Mijëra të rinj që kanë përfunduar shkollimin nuk janë të punësuar përderisa stacionet tona të autobusëve me vite janë….prokurore edhe pak…prokurore na e prezanto fjalën hyrëse me prova të cilat do të bazohet aktakuza…kjo është fjala hyrëse dhe ju lutem me lejoni ta elaboroj aktakuzën edhe nga aspekti i këtij fenomeni”.

Sipas prokurores të akuzuarit janë mësuar që të mos ndëshkohen e në fund të akuzohet prokuroria se nuk ka prova si në rastin e Sali Mekajt dhe Emin Beqirit.

“Nga kjo aktakuzë janë persona të lartë shtetëror të cilët kanë ndikuar në krijimin e një mentaliteti të shëmtuar që ata të mos ndëshkohen dhe që së fundmi faji ti hidhet prokurorisë e cila nuk ka ofruar prova të mjaftueshme, pastaj vazhdohet me plasimin e gënjeshtrave se aktakuza ishte çështje personale e një prokurori se si duket kjo në praktikë më së miri e tregon rasti i Sali Mekaj dhe Emin Beqirit”, deklaroi prokurorja speciale Drita Hajdari.

Mrojtësi i të akuzuarit Adem Grabovci, avokati Florent Latifaj tha se në këtë procedurë penale i vetmi person që e ka shkelur ligjin është prokurorja speciale Drita Hajdari.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor me provat e propozuara nga ana e prokurorisë për tu administruar do të vërtetohet vetëm një gjë dhe atë se nëse dikush ka shkelur ligjin në këtë procedurë penale është prokuroria speciale e republikës së Kosovës”.

Latifaj e kritikoi prokuroren Drita Hajdari për të cilën tha se po ushtron presion ndaj gjykatësve dhe avokatëve.

“Unë tash në këtë situatë nuk po di a me u ndi i frikësuar së bashku me kolegët e mijë”

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Besim Beqaj, avokati Besnik Berisha fjalën hyrëse të prokurores e quajti përrallë.

“E përgëzoj gjykatën që pati durimin me dëgju përrallat e insinuata të Prokurorisë”.

“Kam detyrim etik ligjor për ta theksu se në qoftë se gjendja në sistemin e drejtësisë nuk qenka ajo që ne të gjithë e duam nuk është për fajin e avokatisë por për dështimet e Prokurorisë duke filluar nga kjo që është përballe meje këtu e deri te shefat e saj ma së nalti”.

Edhe mbrojtësit e tjerë e kundërshtuan aktakuzën për të cilën thanë se nuk është e bazuar në prova.

Aktakuza në rastin e njohur “Pronto” , ishte ngritur në prill të vitit të kaluar.

Në seancën fillestarë të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, gjyqtari Hoti nuk kishte lejuar leximin e aktakuzës përkundër se prokurorja e rastit kishte kërkuar të lexonte.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 zyrtarët akuzohen për shkeljen e e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale.