Rexhë Gjonbalaj

Krejt çka dëshmoi Rexhë Gjonbalaj para komisionit parlamentar për gjendjen e PTK-së

Ish-kryetari i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, ka dëshmuar sot para komisionit hetimor parlamentar në lidhje me gjendjen e degraduar në Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Gjonbalaj, i cili ka qenë kryesues i Bordit për 8 vite, nga viti 2008 deri në vitin 2016, para se të niste intervistimi kërkoi nga Komisioni që të sigurohet që dëshmia e tij në prani të mediave nuk do ta dëmtonte procesin gjyqësor në të cilin është duke u gjykuar pikërisht si i akuzuar në lidhje me PTK-në.

“Për fat të keq nuk kam pasur mundësi me e dhënë mendimin për disa vjet. Unë jam në proces gjyqësor në lidhje me këtë çështje. Nuk e di ligjërisht a mund të flas sot para mediave, se a do të dëmtohet procesi gjyqësor. Duhet të më siguroni që nuk ka pasoja”, ka thënë Gjonbalaj.

Anëtarët e komisionit e siguruan se dëshmia e tij nuk do të ketë pasoja dhe nuk do ta dëmtojë procesin gjyqësor ku është duke u gjykuar, pasi nuk ka ndonjë ndalesë nga gjykata dhe seancat e gjykimi janë publike.

Tutje në dëshminë e tij, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, Rexhë Gjonbalaj ka thënë se bordi ka qenë pro nënshkrimit të kontratës me Z-Mobile, atëkohë Dardafone, pasi kanë menduar që është i dobishëm për Telekomin.

“Bordi ka qenë pro aprovimit të asaj marrëveshje, sepse ka qenë i dobishëm për Telekomin e Kosovës. Sa i përket raportit se si do dukej marrëveshja, interpretimi i ekspertëve ka qenë se në Telekom ka kapacitete të lira dhe duhet të shfrytëzohen. Unë kam kërkuar që pas 3 vjetëve të rishikohet kjo marrëveshje, kam kërku që ato penalti në raport me Telekomin të zvogëlohen.

Gjonbalaj ka thënë se kontrata ka qenë e shkruar në gjuhën angleze, ndërsa vetëm njëri prej anëtarëve të bordit ka ditur anglisht, ndërsa të tjerët kanë qenë të dobët në gjuhën angleze.

Më tutje në deklaratën e tij, Gjonbalaj ka thënë se ai dhe bordi nuk kanë ndërhyrë në menaxhmentin dhe ka mohuar se ai personalisht ka bërë presion ndaj kryeshefit ekzekutiv që të nënshkruhet kontrata.

“Nuk ka pasur ndërhyrje në menaxhment. Nuk nënkuptohet ndërhyrje në mbledhje të bordit, nëse nuk ka vendim por veç diskutim. Haxha ka bërë vetëm një herë kërkesë që kontrata duhet të shikohet. Bordi me vendimin e të njëjtit kryeshef ka lejuar funksionimin e kontratës. Unë prej kohës që është marrë vendimi e deri të nënshkrimi i kontratës as nuk jam marrë me atë çështje dhe deri në nënshkrim ka kaluar kohë e gjatë dhe ne nuk kemi pasur ndikim”, ka deklaruar Gjonbalaj.

Gjonbalaj ka mohuar pretendimet e ish kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Adnan Merovcit, i cili kishte thënë se pikërisht Gjonbalaj si kryesues dhe Bordi në përgjithësi i kanë bërë presion për nënshkrimin e kontratës me Z-Mobile. Ai ka thënë se e ka kuptuar nga mediat që Merovci e ka nënshkruar parakontratën, pas të cilës Merovci kishte dhënë dorëheqje.

Ai ka thënë se raportimet e kryeshefit ekzekutiv në Bordin e drejtorëve janë rend dite dhe në ato raportime nuk ka vendime.

Deputeti Zemaj e ka pyetur Gjonbalajn se çfarë qëllime komerciale për kompaninë kishte sponsorizimi i këngëtarëve si Sabri Fejzullahu, Adelina Berisha, Labinot Tahiri, Ermal Fejzullahu e të tjerë.

Ndërsa Gjonbalaj është përgjigjur se shumica e propozimeve për sponsorizime dhe donacione kanë qenë nga kryeshefi ekzekutiv.

Kurse Armend Zemaj tha për Gjonbalajn se është pjesë e degradimit të PTK-së.

“Konsideroj që pjesë e këtij degradimi jeni ju dhe Bordi, çdo gjë që paraqitet në dokumente, ose jeni naiv që mos me e mbrojtë interesin e kompanisë ose keni qenë të ndikuar politikisht, që vetëm me marrë vendime”, ka deklaruar Zemaj.

Gjonbalaj në dëshminë e tij ka pretenduar se sipas palës së Telekomit, nuk ka pasur shërbime 3G dhe 4G për Z Mobile, të parashikuar në kontratë.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit ishte dënim për mosofrim të shërbimeve të internetit dhe ofrimin e sim-kartelave sa herë kërkohet, e jo vetëm 100 mijë të tilla.

Në anën tjetër deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu, e ka kundërshtuar pretendimin e Gjonbalajt, duke e prezantuar një dokument të ekspertëve të Telekomit, në të cilin sipas Aliut, në kontratë është e shkruar që Telekomi do t’i ofrojë shërbimet e internetit për Z-Mobile.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu tha se rasti në Arbitrazh është humbur qëllimshëm, pasi dokumente që kanë qenë në favor të Telekomit janë fshehur.

Haxhiu ia ka përmendur Gjonbalajt aferën e përgjimeve “Pronto”, që sipas saj ai përmendet nga ish kryeministri Hashim Thaçi dhe Adem Grabovci, që siç tha deputetja, për interesin e tyre që Gjonbalaj të jetë në krye të bordit.

Gjonbalaj mohoi se është takuar ndonjëherë me Thaçin apo Grabovcin, ndërsa sipas tij sa ka qenë kryetar i bordit, është takuar vetëm me ministrin Beqaj.

Haxhiu gjithashtu e pyeti Gjonbalajn se a ishte në dijeni që Z-Mobile kishte shitur kartela me çmim më të lirë se Telekomi dhe kjo sipas deputetes nuk ishte e lejuar në kontratë, pasi do t’i bënte konkurrencë operatorit shtetëror. Ndërsa Gjonbalaj është përgjigjur duke thënë se ajo është kompetencë e Autoritetit Rregullativ.

Në anën tjetër deputeti Milaim Zeka në përfundim të intervistimit  i tha Gjonbalajt që ta lexojë kontratën, pasi do të ftohet prapë nga komisioni për të dëshmuar, pasi që ky i fundit nuk e kishte lexuar asnjëherë kontratën e famshme të Telekomit me Z-Mobile.