Kryeshefi i ASK-së para komisionit | Foto: KALLXO.com

Krasniqi Sqaron Pse nuk Ndodh Regjistrimi në Veri

Kryesuesi i këtij komisioni Zenun Pajaziti kërkoi sqarim nga ASK-ja në lidhje me mosregjistrimin e një pjesë të popullsisë në 4 komunat veriore duke thënë se ekziston një projektligj për këtë.

Ndërsa Krasniqi nga ASK-ja tha se ky projektligj është në Kuvend në pritje të miratimit.

Projektligji që ndryshon nga ai me të cilin u krye regjistrimi në pjesën tjetër të Kosovës në vitin 2011 kishte shkuar në Kuvend për miratim më 25 maj, por shqyrtimi i tij ishte shtyrë, pasi mungonte Kryeministri Mustafa për ta arsyetuar projektligjin.

http://kallxo.com/shtyhet-diskutimi-per-projektligjin-e-regjistrimit/

Krasniqi njoftoi gjithashtu komisionin për bashkëpunimin e mirë që ASK-ja ka me Agjencinë e Statistikave të Evropës Eurostat dhe institucionet e tjera statistikore nga vendet e rajonit.

Ai nuk ngurroi të shpalosë një kërkesë për deputetët.

“Ne kërkojmë më shumë buxhet për agjencinë, që të jemi në gjendje të bëjmë më shumë anketa në terren,” ishte kërkesa e Krasniqit drejtuar deputetëve..

Në anën tjetër deputetja opozitare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina pati shumë kritika sa i përket raportit të ASK-së.

Ajo e vlerësoi gjuhën e këtij raporti si të vështirë të kuptueshme, pasi që sipas saj posedon fjalët që vetëm ekspertët e fushës mund t’i njohin.

Pantina gjithashtu shtoi se ky është një raport i thatë.

“Keni adresuar probleme, si për shembull mungesën e stafit dhe buxhetit, mirëpo nuk keni specifikuar as sa para iu duhen, ose sa njerëz ju duhen,” konstatoi Pantina.

Krasniqi iu përgjigj se në raportin për vitin 2015 kanë provuar të thonë gjithçka, por të mos zgjerohen shumë.

Ai shtoi se ASK-ja që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dërgon raporte  të rregullta mujore, 3 e 6 mujore si dhe njëvjeçare në atë zyrë.