Frashër Krasniqi.

Krasniqi: Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka kujtuar ish-bashkëpartiakun, Astrit Deharin, në dyvjetorin e vdekjes.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka premtuar se asnjëherë nuk do të ndalen në kërkim të drejtësisë për Astrit Deharin, aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje që vdiq në Burgun e Prizrenit.

“Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin. Nuk do të ndalemi së luftuari për një shtet demokratik që nuk burgosë aktivistë të pafajshëm”, ka shkruar Frashër Krasniqi.

Ndërsa vonesën për një koment rreth këtij përvjetori Krasniqi e ka arsyetuar duke thënë se ka qenë një ditë me shumë angazhime për të.

“Kemi bërë të gjithë nga ne statuse, vonesa ime nuk është e qëllimshme, kemi qenë më herët në homazhe në varrezat e Astritit, kemi qenë edhe tek familja pra ka qenë ditë me aktivitete dhe nuk kam pasur kohë për të dalë edhe unë më një qëndrim” tha ai për KALLXO.com.

Frashër Krasniqi së bashku me aktivistët Adea Batusha, Egzon Haliti, Atdhe Arifi si dhe të ndjerin Astrit Dehari ishin të dyshuar për sulmin me anti-tank kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Astrit Dehari ka vdekur më 05.11.2016 në qelinë e Burgut të Prizrenit, ku po mbahej si i dyshuar për këtë sulm, që është kryer në muajin gusht të vitit 2016.