Krasniqi: 1600 Vende Pune në Bujqësi

Sipas Krasniqit, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në vitin 2015 implementoi projektin më të madh deri më tash që kap vlerën e 43 milionë eurove.

“Vitin e kaluar kemi implementuar një program prej 43 milionë eurosh që ka qenë programi më i madh deri më tash. 20 milionë euro nga këto kanë qenë të destinuara për grante investive dhe 23 milionë euro të tjera për pagesa direkte, apo për subvencione,” tha Krasniqi.

Krasniqi tha në komision se edhe numri i fermerëve që kanë përfituar në vitin 2015 ka qenë shumë më i madh në krahasim me vitet tjera.

“Fazat përgatitore kanë qenë të përgatitura mirë dhe në vitin e kaluar jemi munduar që të ngrisim informimin dhe transparencën që numri i fermerëve të interesuar të jetë maksimal. 38 mijë aplikues kanë qenë përfitues të pagesave financiare që bën numër rekord krahasuar me vitet e tjera,” u shpreh Krasniqi.

Bazuar në projektet konkurruese nga fermat aplikuese dhe përfituese, sipas Krasniqit Ministria e Bujqësisë me anë të granteve ka arritur të krijojë vitin e kaluar 1600 vende të reja pune.

“E kemi bërë kriter që gjitha vendet e reja të regjistrohen në mënyrë ligjore, janë dëshmitë e Administratës Tatimore dhe Trustit Pensional të cilat e dëshmojnë hapjen e këtyre vendeve direkte nga kjo masë,” tha ai.

Ndryshe, sa i përket vitit 2016, ministri tha se ka filluar faza e vlerësimit të granteve.

Sipas tij këtë vit ka një buxhet më të madh se vitin e kaluar.

“Do të jenë 46 milionë euro të planifikuara. 23 milionë për grante dhe 23 milionë për subvencione. Kemi hapur fazën e alikimit me 27 shkurt,” theksoi Krasniqi.

KALLXO.com shkroi më 31 mars për pritjet e gjata të qytetarëve që të sigurojnë dokumentet që u duhen për të aplikuar për subvencione të Ministrisë së Bujqësisë.

http://kallxo.com/subvencionet-e-ministrise-krijojne-radhe-te-gjata-ne-komune/

Krasniqi tregoi në Komisionin për Bujqësi edhe sektorët prioritarë të ndarjes buxhetore të vitit 2016.

Në bazë të fjalëve të ministrit për sektorin e drithërave dhe qumështit janë paraparë nga 9.7 milionë euro, për sektorin e pemëve 6.8 milionë, sektorin e perimeve 6.5 milionë, sektorin e rrushit dhe verës 3.7 milionë, sektorin e mishit 3.6 dhe sektorin e bletarisë 2 milionë euro.