Foto: Kallxo.com

KQZ nxjerr numrin e votuesve në zgjedhjet e katër komunave veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)  ka nxjerrë numrin e përafërt të votuesve në 4 komunat veriore, ku më 19 maj do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune.

Sipas KQZ-së në këto 4 komuna numri i votuesve është 58 mijë e 520 votues apo 1 mijë e 507 votues më shumë se herën e fundit.

“Sipas të dhënave jo-përfundimtare, numri i votuesve në këto katër komuna është: 58 mijë e 520 votues, apo 1 mijë e 507 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale të vitit 2017. Mbështetur në të dhëna jo-përfunditmare numri i votuesve në Mitrovicën e Veriut është 22 mijë e 242; në Zubin Potok 8 mijë e 612; në Leposaviq 18 mijë e 390; dhe në Zveçan 9 mijë e 276. “, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

KQZ ka marrë vendim edhe për kufizimin e shumës financiare për fushatën zgjedhore. Fushata do të zgjasë nga 13 maji deri më 17 maj.

“Sipas vendimit të KQZ-së, duke u mbështetur në Rregullën Zgjedhore për Kufizimin e Shpenzimeve të Fushatës, shuma e mjeteve për shpenzimet e fushatës zgjedhore është 0.5 euro për votues të regjistruar në komunën përkatëse. Vendimi i KQZ-së mbështetet në listën jo-përfundimtare të votuesve në këto katër komuna”, thuhet tutje në komunikatën e KQZ-së.

Më poshtë gjeni listën e votuesve dhe mjeteve për fushatë që o të shpenzohen në secilën prej 4 komunave veriore.

Zgjedhjet ne 4 komunat veriore. Numri i votuesve dhe shuma financiare për fushatën zgjedhore.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit po mbahen pas dorëheqjes së kryetarëve të veriut në nëntor të vitit të shkuar pasi që Qeveria e Kosovës kishte vendosur tarifën prej 100% për mallrat serbe dhe boshnjake.