KQZ - 24.04.2019

KQZ nuk i certifikoi kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar mbledhjen e cila u ndërpre dje për shkak të dallimeve në mes të anëtarëve të KQZ-së për të votuar për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Mirëpo, me 7 vota për dy abstenime KQZ-ja nuk arriti t`i certifikoj kandidatët e Listës Serbe.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka filloi mbledhjen duke thënë që KQZ-ja nuk duhet të lejojë debat politik për këtë çështje.

“Mendoj që diskutimet janë konsumuar, nuk mendoj që kemi nevojë për fjalime politike. Ne jemi institucion i cili organizon zgjedhje. KQZ-ja deri më tani ka vendosur me 2/3 dhe ligji i referohet KQZ-së si tanësi me 11 anëtarë. Ne dje kemi pas edhe konsultime në mes veti dhe nuk kemi arritur ndonjë konsensus. Dhe KQZ-ja vendos me 2/3 e anëtarëve. I përkujtojë të gjithë anëtarët që ne jemi të emëruar nga presidenti dhe kemi dhënë një betim. Ne jemi trup profesionale jopolitike, unë nuk kisha dashtë të replikojë dikush me mua, po e qes në rivotim”, tha ajo.

Mirëpo kërkesa e Dakës për të mos debatuar nuk i pëlqeu Adnan Rrustemit nga VV-ja, i cili tha se partia e tij do të abstenoj për këtë votim, në rast se Listës Serbe nuk i jepen 24 orë për të ndërruar kandidatët.

“Unë po e arsyetoj qëndrimin e ditës së sotme, kemi të drejtë me fol secili. Mua më vije keq që kjo çështja e mbledhjes së djeshme u zvarrit. Natyrisht që KQZ-ja është për me organizu zgjedhje të ndershme. Unë mendoj që për ne janë të rëndësishme edhe ligjet tjera dhe Kushtetuta e Republikës. Unë kam prit që në këto 24 orë Lista Serbe do të zëvendësoj këta 3 kandidatë. Unë do të doja që LS edhe në ofrimin e kandidaturave do të respektonte legjislacionin e Kosovës, dhe të distancohet nga premtimi se do të tërhiqen menjëherë. Propozoj që t`i japim 24 orë kohe LS që t`i zëvendësoj 3 nga 4 kandidatët, në të kundërtën ne do ta shfrytëzojmë të drejtën e votimit. Ne nuk do të votojmë kundër por do të abstenojmë si anëtarë të VV-së”, tha ai.

Anëtari i Listës Serbe Stevan Veselinoviq, abstenimin e VV-së e ka konsideru sulm politik mbi serbët e Kosovës që kanë propozu që kandidatët në fjalë të kandidojnë për zgjedhjet në veri.

Ndërsa Daka tha që KQZ-ja nuk është institucion i cili bënë kushtëzime për subjektet politike.

Sami Hamiti anëtar nga LDK tha se KQZ-ja nuk është institucion për të rregulluar skenën politike.

“Na dje kemi ndërpre takimin, në kuptimit e evitimit të të gjitha dilemave që kemi pasur. Ideja që prej këtij institucioni me rregullu gjithçka çka sillet në skenën politike është përtej kompetencave tona. Ne kemi mendimin e zyrës, unë mendoj që është momenti i duhur të procedohet në votim”, tha ai.

Florian Dushi nga LDK, kërkoi që KQZ-ja të kursehet nga debati politik.

“Unë kërkoj nga ju kryetare që për mos me na vu në pozicion jo të mirë në të tjerëve të cilëve jemi të kujdesshëm prej gjuhës politike. Pretendimet e tilla janë të ekzagjeruara sepse qëndrimet tona janë më të thjeshta. Secili prej nesh nëse duam të merremi me politikë nuk mundemi duke i anashkaluar pozitat ligjore të që detyrojmë Listën Serbe t`i respektoj këto akte që ne vet si respektojmë” tha ai.