Pamje nga një mbledhje e KQZ-së - Foto: KALLXO.com

KQZ Miraton Vendimin e PZAP-it për Rinumërim në Prishtinë e Prizren

Në mbledhjen e sotme KQZ-ja mori dy vendime në lidhje me balotazhin e 19 nëntorit.

Vendosi që të miratojë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërim të tërësishëm të votave në Prishtinë e Prizren, rinumërimin  në 35 vendvotime në Komunën e Dragashit dhe në tri vendvotime të Komunës së Rahovecit.

KQZ-ja gjithashtu vendosi që të numërohen votat me kusht aty ku nuk ka ankesa dhe ku këto vota nuk mund ta ndikojnë rezultatin.

Për këto vendime foli në mbledhje kryetarja Valdete Daka.

“Në QNR të vazhdohet me numërimin e votave me kusht për ato komuna ku nuk ka ankesa dhe nuk ka mundësi që këto rezultate të ndryshohen. Të fillojë rinumërimi i të gjitha vendvotimeve sipas vendimit të PAZP-it, për Komunën e Prizrenit, po ashtu rinumërimi i 35 vendvotimeve në Komunën e Dragashit, rinumërimi i tri vendvotimeve në Komunën e Rahovecit dhe rinumërimi i të gjitha vendvotimeve të Prishtinës”, tha Daka.

Me miratimin e vendimit të PZAP-it për rinumërim nuk u pajtua anëtari i KQZ-së Adnan Rrustemi, duke e cilësuar këtë gjë orkestrim të plotë.

“PZAP e ka vërtetu që është mekanizëm në duar të grupeve të caktuar”, tha Rrustemi.

Ndërkaq, Daka tha le ta marrë PZAP-i vetë përgjegjësinë për këtë vendim.

Betim Gjoshi, anëtari tjetër i KQZ-së tha se mund edhe të pritet derisa vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të bëhet i plotfuqishëm nga Supremja.

“Jemi ardhë para një momenti që e kemi një vendim të PZAP-it, por po e shohim që kanë qef me prit edhe dy-tri ditë deri sa të dalë vendimi i Gjykatës Supreme”, tha  Gjoshi.

Ndaj fjalëve të Gjoshit reagoi përsëri Rrustemi, duke thënë se kjo nuk është punë qejfi.

“Nuk është punë qefi është punë ligji”, u shpreh Rrustemi.

Gjatë mbledhjes çështja e vendimit për rinumërim shkaktoi vazhdimisht debat.

http://kallxo.com/vendimi-per-rinumerim-te-votave-ngjall-debat-ne-kqz/