Ferid Agani | Foto: Facebook

KQZ: Kuvendi i Partisë së Drejtësisë, i Jashtëligjshëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konstatuar se kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i Partisë së Drejtësisë (PD), i mbajtur vitin e kaluar, nuk është në përputhje me statutin e kësaj partie.

Prandaj, sipas këtij vendimi, ish-ministri i Shëndetësisë dhe Ambientit, Ferid Agani, është kryetari legjitim i PD-së.

“Kuvendi i Partisë së Drejtësisë i mbajtur në fund të shtatorit të vitit të kaluar është i jashtëligjshëm sepse nuk është mbajtur sipas statutit të partisë. E palët do të informohen shumë shpejt”, kanë thënë për KALLXO.com burime brenda KQZ-së.

E se një vendim i tillë është nxjerrë e ka konfirmuar edhe Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

“KQZ konstaton se kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i Partisë se Drejtësisë nuk është thirrur në përputhje me statutin e kësaj partie. Si rrjedhojë, kryetar legjitim njihet Ferid Agani. E rëndësishme këtu është qe ky standard duhet të vlejë edhe për partitë e mëdha. Pra, KQZ paska mandat me marrë vendim për zhvillimet brenda partive”, ka shkruar ai.

Vitin e kaluar, anëtarët e Partisë së Drejtësisë ishin ndarë në dy taborë. Ata që nuk pajtoheshin me Ferid Aganin thirrën një kuvend zgjedhor ku kryetar kishin zgjedhur Sylejman Çerkezin.

Agani nuk ishte pajtuar me vendimet e kësaj pjese të kryesisë duke thënë se është shkelur statuti i partisë. Qysh atëherë ai kishte paralajmëruar se do të kërkojë sqarime nga KQZ-ja në lidhje më këtë çështje.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me Aganin dhe Çerkezin, por ata nuk janë përgjigjur.

Ferid Agani ka qenë ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, derisa dha dorëheqje për shkak të ngritjes së aktakuzës për rastin e stentave.

http://kallxo.com/ferid-agani-lirohet-nga-detyra/