KQZ - 24.04.2019

KQZ hedh poshtë kërkesën e Qëndron Kastratit për organizim të referendumit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën janë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat u mbajtën më 19 maj 2019.

KQZ e mori këtë vendim pas konfirmimit nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion nuk ka ndonjë çështje për të vendosur.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja u dakordua lidhur me përmbajtjen e përgjigjes në kërkesën e kryetarit të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati për organizimin e një referendumi konsultativ në këtë komunë.

Në përgjigjen e KQZ-së thuhet se kërkesa e kryetarit Kastrati nuk mund të realizohet për shkak të mungesës së ligjit të veçantë për referendum.

“Edhe përkundër kompetencave kushtetuese në organizimin e referendumit, mungesa e ligjit të veçantë për referendum, ia pamundëson KQZ-së organizimin e referendumit. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk e përfshin në kornizën ligjore dhe institucionale referendumin si mekanizëm për deklarim për çfarëdo çështje lokale apo qëndrore, duke përfshirë edhe çështjen e propozuar nga komuna e juaj”, thuhet në Komunikatën e KQZ-së.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati,  ditë më parë në një letër dërguar KQZ-së nga e cila ka kërkuar organizimin e referendumit për reformimin e arsimit në komunën që udhëheq ai.